Kolaps personeli? Administrata publike në Gjermani në krizë

Disa sindikata të administratës së shërbimit publik në Gjermani kanë ngritur alarmin. “Nëse politika nuk vepron, kërcënon një kolaps i personelit”, ka thënë Daniel Merbitz, anëtar i kryesisë së Sindikatës së Arsimit dhe Shkencës, GEW pët grupin mediatik Funke. Kurse zëvendëskryetari i Sindikatës së Policisë, GdP, Michael Mertens paralajmëron se “në të gjithë sektorët e policisë mungojnë policët”. Në punën hetimore në Gjermani është krijuar prej vitesh një stok dosjesh që duhen përpunuar. “Nga kjo problematikë vuajnë të gjitha landet, edhe Policia Federale dhe Zyra Federale e Kriminalistikës”.

360.000 vende të pazëna në shërbimin publik shtetëror

Kreu i Shoqatës së Nëpunësve, dbb Ulrich Silberbach po ashtu vëren, se nëse “nuk ecim përpara në digjitalizim dhe reduktimin e burokracisë, mungesa e personelit do të çojë në zgjatje të afateve të trajtimit të dokumenteve, do të përkeqësojë kujdestarinë në kopshte dhe në përgjithësi do të dobësohet ndjeshëm aftësia vepruese e shtetit.”

Sipas të dhënave të shoqatës dbb, ka rreth 360.000 vende pune të pazëna në sektorin e shërbimit publik shtetëror. Deri në vitin 2030 dalin në pension rreth 1,3 milionë të punësuar të shërbimit publik. Anëtari i kryesisë së Sindikatës së Arsimit dhe Shkencës, Merbitz është shprehur se prej vitesh sistemi arsimor nuk është financuar sa duhet, “me pasoja dramatike”. Në të gjithë sektorët e arsimit, si në shkolla dhe kopshte ka një mungesë të ndjeshme të fuqisë së kualifikuar punëtore. “Kjo çon shpesh në një rreth vicioz të mbingarkesës së personelit nga mungesa e fuqisë punëtore dhe mungesë fuqie punëtore nga mbingarkesa”, thotë Merbitz, sepse shumë të punësuar në këtë sektor dalin me orar të shkurtuar për të shmangur stresin personal.

Edhe mungesa e policëve ndjehet sidomos në sektorin e kontrollit të trafikut, thotë Mertens. “Pasoja është një rrezik më i vogël i kapjes së rasteve të shkeljes së rregullave që reflektohet negativisht në statistikën e aksidenteve.”/dw


Shtuar 8.08.2023 14:45