Vetëm Sejdiu përkujtoi 1 shtatorin e vitit 1990
Albeu.com
Pjesëmarrës së Kuvendit të Kaçanikut ku u miratua Kushtetuta e Republikës së Kosovës, më 7 shtator 1990 vlerësojnë se me këtë akt janë vënë themelet e forta të shtetit të Kosovës.18 vjet më parë, delegatët e Kuvendit të Kosovës, të mbledhur në diskrecion të plotë në Kaçanik, shpallën Kosovën Republikë, për ta ndarë atë përfundimisht nga ish - Federata e Jugosllavisë dhe miratuan Kushtetutën e Republikës e cila për shkak të rrethanave të kohës, nuk u fuqizua asnjëherë. Pjesëmarrësi i kësaj mbledhjeje, Xhevat Pllana, në një prononcim për TV ALSAT flet për rëndësinë historike të këtij takimi që ishte ruajtur në fshehtësi të plotë nga opinion.
"Kjo datë ka rëndësi tepër të madhe. Ka pasur një jehonë tepër të madhe. Ka qenë një vendim për pozicionimin e Kosovës në momente të caktuara për arsye se sikur të mos kishte ndodhur shpallja e Kosovës shtet sovran, i pavarur, ngjarjet e mëvonshme do të kishin rrjedhë më të disfavorshme për ne", tha Pllana.
Ish - deputeti Pllana ka një rrëfim interesant se si ishte arritur të ruhej sekreti i takimit. Ai thotë se për mbajtjen e tij nuk kanë qenë në dijeni, madje as anëtarët e familjeve të mbi 100 deputetëve që morën pjesë në këtë mbledhje.
"Skenari ka qenë i përgatitur paraprakisht. Të gjitha rrugët nga Ferizaj për në Kaçanik kanë qenë me disa sinjale të cilat ne i kemi ditur. Sinjalet kanë qenë në atë formë a duhet vazhduar rrugën apo jo. Në hyrje të Kaçanikut kanë qenë djemtë e organizuar të Kaçanikut. Në momentin kur është ndalur makina ata janë afruar duke në thënë ‘Ju lutem, mos keni ardhur për një syneti në Kaçanik’. Kjo ka qenë parulla", kujton ato ditë Pllana.
Në përvjetorin e 18-të të kësaj ngjarjeje, institucionet e Kosovës nuk kanë bërë asnjë aktivitet të organizuar në përkujtim të saj. Vetëm Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, përmes një mesazhi ka përgëzuar qytetarët e Kosovës për këtë përvjetor.
"7 Shtatori i vitit 1990 shënon një ditë të rëndësishme në historinë tonë më të re. Atë ditë u miratua Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e cila pasoi shpalljen e Deklaratës së Pavarësisë më 2 Korrik të po atij viti. Bashkë me Referendumin për pavarësi, këto dy akte i vunë themelet e shtetit të Kosovës", ka thënë Presidenti Sejdiu në këtë mesazh.
Por kur pyetet nëse ndihet i harruar nga institucionet e Kosovës, Xhevat Pllana përgjigjet: "Na gëzon fakti që nuk ndihemi të harruar nga popullata, përveç gjeneratave të reja të cilët nuk e dinë ndoshta fort mirë çka është 7 Shtatori për shkak se institucionet i kanë lënë anash këto festa. Ma merr mendja që në të ardhmen këto festa do të bëhen dhe do të përkujtohen sepse kanë rëndësi të madhe historike për popullin dhe shtetin e Kosovës".
Shpalljes së Republikës së Kosovës, më 7 shtator 1990 i kishte paraprirë miratimi i Deklaratës Kushtetuese më 2 korrik të po atij viti. Lajmi i parë për vendimin e shpalljes së Kosovës Republikë më 7 shtator qe dhënë tri ditë më vonë, atëherë kur të gjithë pjesëmarrësit e këtij tubimi ishin larguar nga territori i Kosovës.

Përparim Isufi, alsat
Shtuar më 07/09/2008, ora 21:11
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori