Vetëm BDI garon në pesë njësi zgjedhore
Albeu.com
nga Bekim BuçiPartitë politike kanë bërë të ditur bartësit e listave me të cilat do të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 1 qershor.Vetëm Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) do të marrë pjesë në pesë njësi zgjedhore përfshirë këtu edhe njësinë numër 3, ndërsa partitë tjera vetëm në katër njësi zgjedhore 1,2,5 dhe 6.
BDI-ja ka vendosur që bartës liste në njësinë zgjedhore nr. 1 të jetë Blerim Bexheti, kurse në vendin e dytë do të pozicionohet Ermira Mehmeti. Në njësinë nr. 2 bartës do të jetë Xhemal Jashari, vëllau i komandantit legjendarë Ismet Jashari – Kumanova, kurse në vendin e dytë dhe të tretë Safet Neziri dhe Zymrete Jakupi. Në njësinë nr. 5 Fazli Veliu dhe Tahir Tani, ndërsa në njësinë nr. 6 kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, Teuta Arifi, Rafiz Haliti. Në këtë njësi do të jetë edhe Xhevat Ademi, Hisen Xhemaili dhe të tjerë. Shefi i Shtabit qendror zgjedhor të BDI-së, Izet Mexhiti tha se nuk do të jetë kandidat për deputet.
Në Partinë Demokratike Shqiptare (PDSH) bartës liste në njësinë nr. 1 do të jetë Imer Selmani, në njësinë nr. 2 Abedin Zymberi, në njësinë nr. 5 Arben Xhaferi dhe në njësinë nr. 6 kryetari i partisë, Menduh Thaçi. Partia për Prosperitet Demokratik (PPD) në njësinë zgjedhore nr. 1 bartës liste do të ketë Eshref Isenin, në njësinë nr. 2 Ismet Ramadanin, në njësinë nr. 6 liderin e partisë Abdylhadi Veselin 6. Kjo parti s’do të ketë kandidat të saj në njësinë nr. 5 por do të mbështesë PDSH-në.
Nga Bashkimi Demokratik Shqiptar (BDSH) bartës liste në njësinë zgjedhore nr. 1 do të jetë Teuta Ajeti, në njësinë nr. 2 Teuta Zllatku, në njësinë nr. 5 Ilmi Reçi dhe në njësinë nr. 6 kreu i partisë, Bardhyl Mahmuti.
Bartës liste nga Bashkimi Demokratik Kombëtar (BDK) bartës liste në njësinë zgjedhore nr. 1 do të jetë Xhelal Shabani, nr. 2 kryetari Hysni Shaqiri, nr. 6 Milaim Fejziu, ndërsa në njësinë nr. 5 ende s’kanë vendosur.
Edhe tek blloku politik maqedonas janë caktuar bartësit e listave të kandidatëve për deputetë. Bartës liste nga VMRO-DPMNE - ja në njësinë zgjedhore nr. 1 do të jetë lideri i partisë Nikolla Gruevski, në njësinë nr. 2 Gordana Jankullovska, nr. 3 Antonio Milloshoski, nr. 4 Trajko Sllavevski, nr. 5 Zoran Stavrevski dhe nr. 6 Vllatko Gjorçev.
Nga LSDM-ja bartës liste në njësinë nr. 1 do të jetë kryetarja Radmilla Sheqerinska, nr. 2 Jovan Manasievski, nr. 3 Tito Petkovski, nr. 4 Zoran Zaev, nr. 5 Jani Makraduli dhe nr. 6 Igor Ivanovski. Subjektet politike deri më 2 maj duhet ti kompeltojnë listat zgjedhore me kandidatë dhe të njëjtat t’i dorëzojnë për shqyrtim në Komisionin Shtetëror Zgjedhor (KSHZ). Nëse KSHZ-ja paraqet vërejtje në lidhje me listat zgjedhore atëherë partia përkatëse është e obliguar që në afat prej 48 orësh të bëjë përmirësimet e duhura.


OSBE dhe “MOST” monitorojnë zgjedhjet

OSBE-ODIHR do të vëzhgojë zgjedhjet e 1 qershorit me gjithsej 280 vëzhgues. Ata do të monitorojnë nga afër aktivitetet gjatë fushatës, punën e administratës zgjedhore dhe të trupave relevant qeveritare, implementimin e legjislacionit, ambientin e mediave dhe zgjidhjen e problemeve që do të hasen gjatë zgjedhjeve, ka bërë të ditur, Robert Barry ambasador i OSBE-ODIHR. Po ashtu edhe lëvizja qytetare “MOST” do të vëzhgojë procesin zgjedhor, me numër më të madh, prej 3500 vëzhgues. Ata ftuan qytetarët e interesuar që kanë të drejtë vote dhe që janë jopartiak, të jenë vëzhgues të MOST-it.
Numri i vëzhguesve të OSBE-ODIHR dhe lëvizjes “MOST”, nuk dallon nga ai i ciklit të fundit zgjedhor në vitin 2006. (lajm)
Shtuar më 02/05/2008, ora 02:34
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori