Veseli i përgjigjet kërcënimeve të Erdoganit: E dimë vetë çfarë bëjmë në Kosovë
Pas deklaratës së Erdoganit i cili kërcënonte Kosovën dhe kryeministrin e Kosovës Haradinaj pas shkarkimit të shefit të Inteligjencës dhe ministri i Punëve të Brendshme, ka reaguar Kadri Veseli.

"Jemi të befasuar me deklarimet e Presidentit te Republikës së Turqisë, z. Rexhep Taip Erdogan, të drejtuara ndaj Kryeministrit të RepublikësKosovës, z. Ramush Haradinaj, në një kohë kur institucionet e RepublikësKosovës po trajtojnë në hollësi veprimet që çuan në arrestimin dhe deportimin nga Kosova në Turqi të gjashtë shtetasve turq.

Këto deklarata janë shqetësuese, sepse vijnë nga lideri i një vendi mik, mbështetja e të cilit shtet është dëshmuar në vazhdimësi para dhe gjatë gjithë ekzistencës së shtetit tonë. Andaj, deklarimet e tilla nuk i kontribuojnë forcimit të miqësisë dhe bashkëpunimit te ndërsjellë, për çka vendi ynë ka qenë dhe është i përkushtuar.

Veprimet e institucioneve të Republikës se Kosovës janë sovrane dhe si të tilla nuk mund t'u nënshtrohen presioneve të jashtme. Në këtë drejtim, edhe marrja në përgjegjësi e bartësve të institucioneve të sigurisë është çështje e brendshme dhe në diskrecion të lidershipit të Kosovës.

Republika e Kosovës do të vazhdojë pa kompromis rrugën e vet evropiane, të forcimit te vlerave perëndimore dhe demokratike, duke ofruar bashkëpunimin e vet me të gjitha ato shtete mike që duan raporte të respektit të ndërsjellë, duke përfshirë edhe Republikën e Turqisë"- shkruan Veseli në Facebook. /albeu.com/

Shtuar më 01/04/2018, ora 14:40

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori