Studimi tregon se cila është mosha ideale për të lindur fëmijë të shëndetshëm

Gratë e grupmoshës 23 deri në 32 vjeç  kanë gjasa  të lindin fëmijë më të shëdetshëm.

Studiuesit nga Universiteti Semmelëeis në Budapest, Hungari, analizuan 31,128 shtatzëni të ndërlikuara nga çrregullime zhvillimore jo-kromozomale dhe krahasuan të dhënat me 2,808,345 lindje të regjistruara gjatë 30 viteve.

Nënat adoleshente ose në të njëzetat e hershme rrezikojnë të lindin fëmijë me probleme në sistemin nervor qendror, që prekin zhvillimin e trurit dhe shtyllës kurrizore, ndërsa shtatzanitë në moshë të madhe lidhen me deformime të kokës, qafës, syve dhe veshëve.

Nënat në moshë të re shpesh janë të papërgatitura për shtatzaninë dhe ndikohen nga faktorë të stilit të pashëndetshëm të jetesës si konsumimi i alkoolit, duhanit apo ilaçeve të ndryshme.

Nga ana tjetër, nënat në moshë të pjekur ekspozohen për një kohë më të gjatë ndaj faktorëve stresantë mjedisorë si ndotja e ajrit dhe sipas shkencëtarëve, kjo mund të ndikojë në lindjen e fëmijëve me probleme fizike.

Studiuesit zbuluan se rreziku i zhvillimit të anomalive jo-kromozomale u rrit me 20% për lindjet nën moshën 22 vjeç dhe me 15% mbi moshën 32 vjeç, krahasuar me moshën 23-32 vjeç.

Studimi është rezultat i rritjes së moshës mesatare të nënave të reja në shumë vende. Gratë po bëhen nëna për herë të parë në moshën 30-vjeçare, krahasuar me trendin e viteve 2000 ku mosha ishte 27 vjeç ndërsa në 1970 ishte 24 vjeç.

Ky zhvillim i është atribuuar ndryshimit të parimeve familjare, dhënies përparësi ndaj karrierës dhe kostos së jetesës.