Verifikim i fakteve: Gënjeshtra e Ahmetajt dhe mos përputhjet e Salianjit për kafen e famshme

Ahmetaj ka pire kafen dhe po sheh filxhanin nese ka mbetur ndonje pike ne fund. Kjo tregon se takimi mes tyre nuk ishte vetem tre minuta sic pretendon Salianji
Fotot e deputetit demokrat Ervin Salianji si edhe ish-ministrit më të përfolur të Ramës për korrupsion, Arben Ahmetaj shkaktuan mjaft ilaritet në rrjetet sociale duke bindur edhe njëherë shqiptarët se përtej sharjeve në publik, maxhoranca dhe opozita gjenden bashkë kur bëhet fjalë për pazare.

Thelbi i ironisë nuk ka të bëjë me faktin se përse duhet të ulet një deputet i opozitës me një ish-ministër në kafe, pasi kjo duhet të jetë normale, por përse këta shahen nga ropt në Kuvend kur i shohin shqiptarët dhe më pas hanë e pijnë bashkë.

Nisur nga ky perceptim, dy protagonistët e këtij takimi reaguan më pas. Ahmetaj reagoi me ironi duke thënë se po bëni plane kundër PD-së, kurse Salianji e mori më seriozisht dhe publikoi pamje të të gjithë asaj që ndodhi gjatë atyre minutave në lokal, shkruan Albeu.com.

Mirëpo, versioni i Salianjit dhe më tepër ai i Ahmetajt nuk janë të plotë dhe duket se po fshehin diçka.

Salianji thotë se ai ishte me Ed Manushin në drekë dhe më pas rastësisht erdhi Arben Ahmetaj, të cilin e përshëndeti direkt dhe më pas u largua nga kafja.

Por, nga fotoja që qarkulloi në rrjetet sociale dhe krahasimi i atyre që ka publikuar vetë Salianji duket qartë se jo vetëm që deputeti demokrat nuk ka ikur pas uljes së Ahmetajt, por ky i fundit ka patur kohë të porosisë një kafë dhe të presë deri sa ajo të vinte ndërkohë që bënte muhabet me Manushin dhe Salianjin. Po ashtu, nga fotot e publikuara tashmë, duket se Ahmetaj ka patur kohë edhe të "gërryejë" filxhanin deri në fund duke e shijuar kafen deri në pikën e fundit të saj, ndërkohë që kishte Salianjin në krah të djathtë.

Sërish nga fotot, duket qartë se Salianji është shkëputur nga tavolina vetëm pasi Ahmetaj ka përfunduar kafen e tij. (shiko fotot sipër).

Sa i përket versionit të Ahmetajt, ky i fundit çalon edhe më tepër. Sepse, Salianji thotë se ai ishte me Manushin në kafe dhe pastaj erdhi Ahmetaj duke publikuar edhe fotot, kurse ish-ministri i supër përfolur i Ramës thotë se Salianji erdhi pasi ai, pra Ahmetaj ishte në kafe me Ed Manushin. Fotot e publikuara nga Salianji e hedhin poshtë këtë fakt duke nxjerrë ashiqare gënjeshtrën e Ahmetajt.

Përse vlen gjithë kjo analizë? Në fund të fundit nuk ka asgjë të keqe që një deputet i opozitës të pijë kafe me një ish-ministër të maxhorancës, çështja është se në realitetin shqiptar, ashtu siç ata akuzohen dhe shajnë njeri-tjetrin në publik të lënë të kuptosh që janë armiq të mëdhenj, kur në fakt pazaret i bëjnë bashkë.

Është pikërisht ky fakt që të bën të merresh më tepër me një takim të tillë, që të dy protagonistët e quajnë rastësor, por që sikletosen mjaft dhe gënjejnë për të dalë nga situata. /albeu.com/
Shtuar më 13/02/2019, ora 23:34
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori