Verheugen: Serbia ne BE, veshtire pa e njohur Kosoven
Albeu.com
Pas dhjetë vjetëve të kaluar në Komisionin Evropian në dy mandate, njëri si komisioner i Zgjerimit në Komisionin e Romano Prodit, ndërsa tjetri në atë të Jose Manuel Barrosos si komisioner për industri, gjermani Gunther Verheugen është larguar nga Komisioni Evropian.
Në të dyja mandatet ka qenë edhe nënkryetar i Komisionit Evropian, ndërsa do të mbahet mend në histori si person që ka udhëhequr procesin historik të zgjerimit të madh të Bashkimit Evropian, në të cilin 12 shtete të reja janë anëtarësuar në BE, dhjetë prej të cilave ish-shtete komuniste. Verheugen në një intervistë të gjatë lamtumire për grupin medial WAZ, dhënë të përditshmës kroate “Jutarnji list”, të cilën e boton sot Koha Ditore, ka folur më hapur se kurrë për procesin e zgjerimit dhe ka thënë se në pesë vitet e fundit nuk është shënuar asnjë sukses në këtë proces për shkak se ka ndryshuar filozofia e zgjerimit, është ngadalësuar procesi, është bërë shumë teknik dhe nuk shihet më si proces gjeopolitik dhe strategjik. Kjo, sipas Verheugenit, është gabim, sepse asnjë proces në Evropë nuk e ka ndihmuar stabilizimin politik, demokratizimin dhe prosperitetin ekonomik më shumë sesa perspektiva e anëtarësimit në BE. Ai thotë se vendeve të Ballkanit më fuqishëm duhet t’u jepet sinjali se janë të mirëseardhura në Bashkimin Evropian. Thotë se Kroacisë i është bërë një padrejtësi e madhe, sepse ai shtet e ka merituar qëmoti të jetë në BE. Kroacia, sipas Verheugenit, është vonuar në Bashkimit Evropian për shkak se „është viktima e parë e ndryshimit të filozofisë së zgjerimit në BE“, por edhe për shkak se Britania e Madhe, duke keqpërdorur të dhënat e pasakta të shërbimeve të zbulimit, kishte manipuluar vendet e tjera të BE-së për të penguar hapjen e negociatave të Kroacisë me Bashkimin Evropian për shkak të pohimeve se kinse „Qeveria kroate po e strehon gjeneralin Ante Gotovina“. Verheugen thotë se „qysh në vitin 1999 ka dashur ta fuste Kroacinë në grupin e shteteve për të negociuar për anëtarësim në BE por ka pasur përkrahjen vetëm nga Austria, ndërsa ashpër kanë kundërshtuar Britania e Madhe, Franca dhe vendet nordike, të cilat janë angazhuar më shumë për Serbinë. Verheugen thotë se „nuk ka fije mirëkuptimi as për mënyrën se si Greqia po e shfrytëzon një çështje bilaterale për të bllokuar procesin e zgjerimit të BE-së“, ndërsa për idenë greke që kinse „të gjitha vendet e Ballkanit të hyjnë në BE në vitin 2014 thotë se „është tërësisht joreale dhe e pamundur“. „Mund të keni vizione politike, por një gjë e tillë nuk është e mundur. Edhe kancelari gjerman Kohl dhe presidenti i Francës Chirac u premtonin polakëve në vitet nëntëdhjetë se në vitin 2000 do të hyjnë në BE. Me shumë mund u arrit kjo në vitin 2004. Pra krejt varet nga përparimi“.
Verheugën në këtë intervistë mbron të gjitha vendimet të cilat ishin marrë në kohën kur ai udhëhoqi procesin e zgjerimit. Thotë se si gabim ndoshta shihet pranimi i Qipros së ndarë në BE por shton se nuk ka pasur asnjë mundësi tjetër. „Nuk kemi pasur rrugëdalje, pos ta kemi Qipron në grupin e parë të vendeve që hynë në BE. Greqia në asnjë mënyrë dhe në asnjë rrethanë nuk do të ratifikonte asnjë Marrëveshje anëtarësimi në rast se Qiproja nuk do të ishte në atë grup“, thotë Verheugen, i cili shton se „në anën tjetër nuk donim as t’i jepnim Turqisë të drejtë që të vendoste për zgjerimin e BE-së“. Verheugen megjithatë shpreh keqardhje pse nuk u realizua plani për bashkimin e Qipros edhe pse ishte shumë afër“. Tashmë ish-komisioneri i BE-së, Verheugen, mbron fuqishëm edhe vendimin për të pranuar në anëtarësi edhe Bullgarinë dhe Rumaninë, edhe pse shumica e zyrtarëve të vendeve anëtare mendojnë se ka qenë një gabim sepse këto vende nuk janë as sot gati. „Ata të cilët bëjnë kritika pse i kemi pranuar Rumaninë dhe Bullgarinë në BE harrojnë se në çfarë rrethanash i kishim ftuar që të nisnin negociatat në vitin 1999. Ka qenë ky një vendim gjeopolitik dhe strategjik, sepse ishte koha e luftës në Kosovë dhe shqetësimi numër një i të gjitha neve ishte stabiliteti i këtij rajoni. Nuk mund as të paramendoj se si do të zhvillohej situata në rajon sikur Rumania dhe Bullgaria të mos e kishin pasur të qartë perspektivën e tyre të anëtarësimit në BE“. Pyetjes se a mendon edhe në moslejimin e rusëve për të fluturuar me avionët e tyre mbi hapësirat ajrore të këtyre dy shteteve për të shkuar në Kosovë? Verheugen thotë: „Saktësisht. Krejt çfarë prisnim prej tyre ata e realizuan 100%. Por duhet kuptuar se dinim se ata kanë një kulturë tjetër politike, sepse vinë nga errësira më e thellë komuniste dhe kjo e kaluar i kishte shkatërruar këto shtete jo vetëm ekonomikisht, por edhe mentalisht. Nëse shikohet në terma relativë edhe këto dy shtete kanë arritur një përparim të jashtëzakonshëm“, thotë Verheugen.
Pyetjes se a mund të bëhet Serbia anëtare e Bashkimit Evropian pa e njohur pavarësinë e Kosovës? Verheugen i përgjigjet: „Shumë vështirë. Kur vendeve të Ballkanit perëndimor u kishim dhënë perspektivën e anëtarësimit në BE, ishte ky një vendim gjeopolitik dhe strategjik. Sepse askush nuk beson se këto vende do t’i sjellin BE-së ndonjë dobi ekonomike. Nuk do t’i sjellë dëm por as shumë dobi. Pjesë e kësaj lloj marrëveshjeje ishte si vijon: Ju keni perspektivë të anëtarësimit në BE ndërsa duhet i bëni reformat në vendet tuaja, të zhvilloni demokracinë dhe të keni raporte të mira me fqinjët. Asnjëra palë nuk i ka përmbushur në tërësi këto marrëveshje siç e dini. Disa shtete, si Maqedonia, janë më të avancuara se disa të tjera. Disa, si Serbia, kanë nisur të bëjnë përparim pas një kohe të gjatë të stagnimit. Por Serbia është qartë me orientim evropian dhe asaj duhet më fuqishëm t’i jepen sinjalet se është e mirëseardhur në BE. Pastaj kushtet janë të qarta. Nuk mund të bëheni pjesë e BE-së nëse keni konflikt me fqinjët“, ka thënë Verheugen. Në vërejtjen se si mund të kërkojë BE-ja nga Serbia që ta njph Kosovën kur brenda BE-së ka shtete që nuk e kanë bërë këtë, Verheugen ëhstë përgjigjur: „Është një argument i saktë dhe i drejtë. Por hapi i parë në zhvillimin e politikës së jashtme të BE-së është që ajo të flasë me një zë. Tash e kemi Traktatin e Lisbonës dhe një prej arsyeve pse ai na është dashur është pikërisht për të na mundësuar që të flasim me një zë. Prandaj, në procesin e zgjerimit pres që komisioneri i ardhshëm të jetë më aktiv, ta ketë rolin udhëheqës e jo të jetë një lloj kontabilisti apo mbajtës i procesverbalit“. Ky ish- komisioner nga Gjermania hedh poshtë edhe krahasimet që bëhen, duke thënë se „nëse Qiproja ka mundur të hyjë në BE mund të hyjë edhe Serbia“.„Konflikti në Qipro është konflikt i ngrirë dhe nuk mund ta krahasoni me atë në Ballkan. As Turqia nuk do të hyjë kurrë në BE pa e njohur Qipron. Ky do të ishte një krahasim i duhur me Serbinë“, thotë Verheugen, i cili pyetjes se a do t’i thotë BE-ja Serbisë se nuk do të mund të bëhet anëtare nëse nuk e njeh Kosovën i përgjigjet: „Serbia është aq larg prej momentit kur mund të hapë negociatat e anëtarësimit, saqë nuk ka kuptim të flitet tani për kriteret. Ajo që duhet t’i thuhet Serbisë është se është e mirëseardhur në BE sa më e qartë të jetë kjo porosi aq më pozitive do të jetë edhe përgjigjja nga ana e Serbisë“.
Shtuar më 15/02/2010, ora 17:30
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori