Venecia: Meta s’mund të shkarkohet
“Ndërsa Presidenti mund të ketë vepruar përtej kompetencave të tij kushtetuese, ka të dhëna se veprimet e tij mund të mos kenë qenë të një natyre që mund të justifikojnë shkarkimin e tij”. Ky është përfundimi i raportit të Komisionit të Venecias, pas një seancë plenare zhvilluar gjatë ditës së sotme.

“Komisioni i Venecias vëren se Presidenti shqiptar nuk mund të anulojë zgjedhjet pa konsensus politik. Edhe në rast të gjendjes së jashtëzakonshme, siç është lufta ose katastrofa natyrore, Kuvendi do të duhej të miratojë legjislacion të posaçëm për të shtyrë zgjedhjet”, vë në dukje deklarata, sipas së cilës “në përgjigje të krizës politike në vend dhe një bojkoti zgjedhor nga disa parti të mëdha politike, Presidenti fillimisht anuloi dhe më pas shtyu zgjedhjet vendore.

Edhe nëse parlamenti do të konstatonte se Presidenti tejkaloi kompetencat e tij, Komisioni i Venecias vë në dyshim nëse ky veprim ishte i një karakteri të tillë sa për të vërtetuar nje “shkelje serioze”.

Ekspertët nënvizojnë thirrjet e Presidentit për dialog dhe pritshmërinë se shtyrja e zgjedhjeve mund të kishte kontribuar në një kompromis midis palëve dhe “theksojnë mungesën e një sfide të drejtpërdrejtë ndaj Dekreteve të Presidentit përpara gjykatës”.

Për më tepër, vë në dukje deklarata, zgjedhjet vendore nuk kanë të njëjtin status kushtetues si zgjedhjet parlamentare. Ekspertët thonë se edhe nëse Kuvendi do të përcaktonte seriozitetin e shkeljeve, kjo nuk duhet domosdoshmërisht të çojë në shkarkim, duke marrë parasysh fuqinë e Seancës Plenare të parlamentit për të marrë parasysh qëllime të tjera kushtetuese, siç janë ruajtja e kontrolleve dhe ekuilibrave dhe stabilitetit në vend.

Nëse Kuvendi do të vendoste në favor të shkarkimit, në fund do t’i takonte Gjykatës Kushtetuese, e cila aktualisht nuk funksionon, të konfirmojë nëse vendimet e Presidentit janë shkelje “serioze” që do të justifikonin shkarkimin e tij”, përfundon deklarata. /VOA
Shtuar më 11/10/2019, ora 16:17
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori