Kuvendi i Kosovës nuk miraton tërheqjen e mjeteve nga Trusti

Deputetët e Kuvendit të Kosovës i kanë thënë jo një tërheqjeje të re nga Trusti. Të enjten me 55 vota kundër dhe 42 pro është rrëzuar iniciativa e qytetarëve që të lejohet tërheqja e deri 30 për qind të mjeteve të Trustit.

Kuvendi i Kosovës ka dështuar sërish të votojë në lexim të parë Projektligjin, përmes të cilit synohet të lejohet tërheqja e 30 për qind të mjeteve nga Fondi Pensional i njohur si Trusti.

Në momentin e votimit në sallë kanë qenë 101 deputetë, 97 prej të cilëve kanë votuar. Për kanë votuar 42 deputetë, 55 kundër.

Krijimi i mundësive ligjore, që qytetarët e Kosovës të tërheqin mjete të kursimeve të tyre nga Fondi i Kursimeve Pensionale ka shkaktuar debat në Kosovë, me argumente për dhe kundër.

Propozimin lidhur me këtë e ka bërë më 9 mars të vitit 2022 subjekti më i madh opozitar, Partia Demokratike e Kosovës, përmes një projektligji të dorëzuar në Kuvendin e Kosovës.

Projektligji është përkrahur edhe nga dy partitë tjera opozitare; Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Në anën tjetër, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje është shprehur kundër një tërheqjeje të mjeteve nga Fondi i Kursimeve Pensionale, duke thënë se shkatërrohet sistemi pensional.

Projektligji për Trustin është dërguar në Kuvend më 15 korrik 2022, si nismë legjislative pas mbledhjes së më shumë se 20 mijë nënshkrimeve nga qytetarët e Kosovës.

Fillimisht Projektligji për Trustin ka dalë në votim në muajin qershor, por edhe atëherë është refuzuar nga LVV-ja. Edhe institucionet financiare ndërkombëtare vazhdimisht e kanë kundërshtuar mundësinë e tërheqjes së mjeteve nga Trusti.

Gjatë vitit 2020, Qeveria Hoti kishte vendosur që t’u lejojë qytetarëve që të nxjerrin 10 për qind të shumës së tyre të grumbulluar në Fondin Pensional.

Kjo nismë u shoqërua me telashe dhe stërzgjatje në votimin e ligjit, probleme teknike më pas dhe çështje tjera. Atë vit, qytetarët e Kosovës tërhoqën nga kursimet e tyre pensionale mbi 198 milionë euro.

Kujtojmë se është propozuar që me ndryshime ligjore, personat të cilët kanë deri në 10 mijë euro kursime, të mund të tërheqin deri në 30 për qind të tyre.

Ata që posedojnë 10 deri në 20 mijë, të tërhiqnin 25 për qind dhe ata që kanë mbledhur mbi 30 mijë euro t’i tërheqin deri në 10 për qind. Mirëpo projektligji në fjalë nuk ka kaluar sot në Kuvend./Monitor


Shtuar 20.01.2023 13:37