Jo vetëm në fushë, Son dhe Lloris u përplasen edhe në dhomat e zhveshjes (VIDEO)

Ditë më parë Tottenham publikoi dokumentarin “Gjithçka ose Asgjë”, teksa zbuloi shumë gjëra të cilat nuk kanë qenë të ditura për publikun.

Gjelat kanë vendosur t’i publikojnë të gjitha detajet, madje edhe ato momentet e nervozizmit dhe zënkat ndërmjet futbollistëve.

Një e tillë ka ndodhur ndërmjet portierit francez të kësaj skuadre Hugo Lloris dhe koreanit Heung Min Son pas përfundimit të pjesës së parë në ndeshjen ndaj Everton, gjatë edicionit të shkuar.

Zënka nisi para se të përfundonte pjesa e parë e lojës, teksa ‘gardiani’ Hugo Lloris tentoi ti sqaronte fizikisht hesapet me Son, pasi që futbollisti korean nuk e ndoqi deri në fund futbollistin Yerry Mina të Evertonit gjatë shënimit të golit.

Incidenti nga fusha vazhdoi edhe në dhomat e zhveshjes teksa Lloris kërkonte sqarime nga Son.

“E njëjta gjë vlen për ty, e njëjta gjë vlen për Harry Kane, e njëjta gjë vlen edhe për Lucas Mouran. Një minutë se ndaluari së vrapuari dhe ne pranojmë gol”, i tha Lloris bashkëlojtarit të tij Son.

Bashkëlojtarët i ndaluan të përplaseshin fizikisht mes vete, ndërkohë më pas reagoi edhe trajneri i kësaj skuadre Jose Mourinho.

“Çfarë ndodhi këtu, .. Unë nuk e di tërë historinë”, tha ai. “E di që ai dëshiron që të kthehesh… por nëse je fëmijë, nëse je një djalë i prishur, është shumë keq”, theksoi ndër të tjerash Mourinho gjatë fjalimi.

Kamera fokusonte vazhdimisht dy futbollistët me kokën e ulur.

“Janë gjëra që ndodhin brenda dhomave të zhveshjes dhe dalin nga emocionet e ndeshjes”, theksoi Loris pas ndeshjes së fituar nga Tottenham.

“Ajo çfarë ndodhi mes meje dhe Son i përket fushës së lojës dhe dhomave të zhveshjes. Ai është një djalosh fantastik dhe ne kemi marrëdhënie shumë të mira me të”, tha ndër të tjerash Lloris.

Përplasjen ndërmjet dy futbollistëve më pas e komentoi për media edhe Jose Mourinho, i cili tha se kjo gjë është pozitive, pasi që futbollistët bëjnë kritika mes vete për lojën e tyre.


Shtuar 12.09.2020 16:15