VENDIMI/ Provim edhe për administratën, kush del keq rrezikon vendin e punës
Pas infermierëve, qeveria synon të kalojë në sitën e provimit të gjithë nëpunësit e administratës civile. Përveç detyrimit të përgjithshëm për t’ju nënshtruar provimit, vendimi i sotëm i Këshillit të Ministrave përcakton edhe kriteret e vlerësimit si edhe qasjen ndaj atyre që dalin me rezultate maksimale dhe minimale, transmeton Albeu.com.

Sipas vendimit, çdo nëpunës ka detyrimin që t’i nënshtrohet testimit të njohurive çdo katër vjet.

Qeveria synon që nëpërmjet Departamentit të Administratës Publike dhe Shkollës së Administratës Publike të bëjë trajnimin e nëpunësve të administratës. Por, para trajnimit ata do t’i nënshtrohen në testimi të njohurive.

Qeveria ka parashikuar që ti kategorizojë në katër grupe nëpunësit civilë sipas rezultatit të provimit me shkrim dhe me gojë.

Në kategorinë e parë do të jenë ata që vlerësohen nga 90 deri në 100 pikë. Këta të fundit nuk do të kenë detyrimin për t’iu nënshtruar trajnimit.

Ndërkohë, grupi tjetër janë ata që vlerësohen nga 70 deri në 89 pikë ose “mirë”, të cilët janë të detyruar që t’i nënshtrohen trajnimit.

Po ashtu, trajnimit do t’i nënshtrohen edhe punonjësit që vlerësohen “kënaqshëm” dhe “jo kënaqshëm”.

Përcaktimi i fushave ku ka mungesa nëpunësit bëhet nga eprori i tij direkt. Sipas vendimit, pas trajnimit këta nëpunës nuk i nënshtrohen më provimeve të tjera.

Por, nuk ka mbaruar ende për ata që janë vlerësuar “jo kënaqshëm”.

Përveç marrjes së trajnimeve nga Shkolla e Administratës Publike ata do të vlerësohen për ecurinë e tyre në punë nga eprori i tyre për tre muaj me radhë. Pra, do të kthehen në një periudhë prove. Në përfundim të kësaj periudhe, nëpunësi duhet të ketë marrë vlerësim “kënaqshëm” nga eprori në mënyrë që të vijojë të jetë në punë. /albeu.com/
Shtuar më 16/12/2015, ora 20:20
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori