Vendimi per Haradinajn me 21 korrik
Albeu.com
Vendimi i Apelit në çështjen gjyqësore të Ramush Haradinajt, Idriz Balajt dhe Lahi Brahimajt, tre ish komandantë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), do të shqiptohet të mërkurën, më 21 korrik në orën 9:30, njoftoi Tribunali i Hagës.
Kjo çështje ka të bëjë me krime të kryera gjatë periudhës 1 mars - 30 shtator 1998 në zonën e Dukagjinit në Kosovën Perëndimore. Gjatë periudhës në fjalë Haradinaj ishte komandant i UÇK së për zonën e Dukagjinit, Idriz Balaj ishte komandant i njësisë së UÇK-së "Shqiponjat e zeza" dhe Brahimaj ishte pjesëtar i UÇK së me bazë në shtabin e UÇK-së, në Jabllanicë, në komunën e Gjakovës.
Në prill 2008, Dhoma Gjyqësore i shpalli Haradinajn dhe Balajn të pafajshëm për të tëra akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ndërkaq Brahimaj u dënua me gjashtë vjet burgim për trajtim mizor dhe torturim të dy individëve në shtabin e UÇK-së në Jabllanicë. Prokuroria dorëzoi apelimin kundër Aktgjykimit të Dhomës Gjyqësore më 17 korrik 2008. Mbrojtja e Brahimajt e dorëzoi apelimin më 19 korrik 2008. Haradinaj dhe Balaj u liruan pas shpalljes së vendimit. Brahimaj u lirua përkohësisht me kusht deri në seancën e apelit të tij, më 25 maj 2009. Më 2 korrik 2010 ai u urdhërua të kthehej në Njësinë e Paraburgimit për të qenë i pranishëm në shpalljen e Vendimit të Apelit.
Shtuar më 16/07/2010, ora 14:53
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori