Vendimi ne GJND, vitin e ardhshem
Albeu.com
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremic ka thënë se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë nuk mund të pritet para mesit të vitit të ardhshëm.Ai është shprehur i bindur në fitore, derisa ka njoftuar se në favor të Serbisë deklarata kanë deponuar Kina, Rusia, Argjentina, Qiproja, Egjipti, Brazili, Spanja, Rumania, Sllovakia, Irani dhe Azerbajxhani. Sipas tij, SHBA-ja dhe aleatët e saj janë në anën e Kosovës.


Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Vuk Jeremic ka deklaruar se mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën nuk mund të pritet para mesit të vitit 2010, pra diku në prill ose maj të vitit të ardhshëm.

Ndryshe nga homologu i tij kosovar, Skënder Hyseni, i cili ka thënë se ende nuk dihet nëse do të ketë seancë të dëgjimit gojor, ministri i Jashtëm serb ka thënë se nuk ka dyshim se një seancë e tillë do të mbahet në dhjetor të këtij viti.

“Debati i parë verbal para kësaj gjykate do të mbahet në dhjetor”, ka thënë Jeremic për Radiotelevizionin e Serbisë.

Ai ka shtuar se vendimi do të jetë në favor të Serbisë.

“Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të sjellë vendimin që është në pajtim me Të Drejtën Ndërkombëtare”, ka thënë ai.
Shefi i diplomacisë serbe, po ashtu ka përmendur shtetet që kanë dorëzuar në ICJ deklaratat e tyre në mbështetje të kauzës së Beogradit.
“Në mbështetje të qëndrimit të Serbisë kanë dalë Kina, Rusia, Argjentina, Qiproja, Egjipti, Brazili, Spanja, Rumania, Sllovakia, Irani, Azerbajxhani dhe disa vende të tjera”, ka deklaruar Vuk Jeremic.

“Ndërsa Kosovën e mbështesin Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj”, ka shtuar ai.
Të premten, Kosova, Serbia, ashtu sikurse edhe dhjetëra vende të tjera mbështetëse të Kosovës apo të Serbisë, dorëzuan deklaratat e tyre në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.

Disa orë pasi që Kosova deponoi deklaratën e saj, ministri i Jashtëm Skënder Hyseni u shpreh i bindur në paanshmërinë e Gjykatës, ashtu sikurse edhe në fitoren e Kosovës përballë kësaj sfide që vuri Serbia.

Ndryshe nga Vuk Jeremic, Skënder Hyseni në këtë konferencë nuk ka folur rreth shteteve mbështetëse të Kosovës që deponuan deklaratat e tyre në ICJ, ashtu sikurse nuk ka folur as për ato shtete që do të jenë krah Serbisë në ICJ. (express)
Shtuar më 19/04/2009, ora 17:49
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori