Vendimi i qeverisë: Si do vlerësohen punonjësit në shtet
Krahas ligjit të ri të përgatitur nga qeveria për Nëpunësin Civil i cili pritet që të miratohet në parlament brenda muajit mars, në mbledhjen e sotme qeveria ka miratuar edhe 2 prej 10 akteve nënligjore në lidhje me administratën shtetërore.

Sipas dy vendimeve të miratuara sot nga qeveria Rama, institucionet në varësi të Kryeministrit apo të ministrave, jo më vonë se muaji tetor i çdo viti kalendarik, e paraqesin planin e nevojave për rekrutim, përkatësisht te sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave apo te ministri përkatës deri në fund të muajit tetor. Departamenti i Administratës Publike, deri në fund të muajit dhjetor, harton projektvendimin për planifikimin vjetor të pranimit për administratën shtetërore. Këshilli i Ministrave, jo më vonë se fundi i muajit shkurt, miraton planin vjetor të pranimit për institucionet e administratës shtetërore.

Vlerësimi i rezultateve

Vlerësimi i rezultateve në punë për nëpunësin civil të kategorisë ekzekutive, të ulët dhe të mesme drejtuese kryhet nga zyrtari raportues, zyrtari kundërfirmues dhe zyrtari autorizues. Në vlerësimin e nëpunësve anëtarë të Trupës së Nivelit Drejtues të emëruar në pozicionet “Drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme/të barasvlefshëm” dhe “Drejtor Departamenti/ të barasvlefshëm”, raporti mbështetet në vlerësimin e bërë nga Sekretari i përgjithshëm/pozicioni i barasvlefshëm, si dhe në vlerësimet e kolegëve të të njëjtit nivel në të njëjtin institucion dhe institucione të tjera të administratës shtetërore me të cilët ka pasur marrëdhënie bashkëpunimi.

Vlerësimi i sjelljes profesionale të nëpunësit civil të kategorisë ekzekutive të ulët dhe të mesme drejtuese konsiston në vlerësimin e :a) Gabimeve/ saktësisë në punën e kryer; b) Realizimit në kohë të punës;c) Kolegjialitetit të marrëdhënieve; ç) Gatishmërisë për punë në grup; d) Shpeshtësisë së orëve të punës jashtë orarit; dh) Kërkesave për këshillim; e) Trajnimit dhe ngritjes profesionale. Nëpunësi civil i kategorisë ekzekutive të ulët ose të mesme drejtuese, kur nuk është dakord me vlerësimin përfundimtar të rezultateve në punë ka të drejtë të kërkojë shqyrtim të vlerësimit nga Sekretari i Përgjithshëm/pozicioni i barasvlefshëm/ titullari i institucionit. /Albeu.com/
Shtuar më 26/02/2014, ora 18:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori