Vendimi i GJND-se per Kosoven ndane BDI-ne dhe VMRO-ne?
Albeu.com
Përfaqësuesit e Qeverisë së Maqedonisë nuk kanë qëndrime plotësisht të njëjta sa i përket asaj se si do të reagojë Maqedonia ndaj mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me pavarësinë e Kosovës.Përderisa përfaqësuesit e Bashkimit Demokratik për Integrim, si parti shqiptare në Qeveri janë decid se mendimi i GJND-së nuk do të ndikojë në vendimin e Maqedonisë për të njohur pavarësinë e Kosovës, përfaqësuesit maqedonas të VMRO-DPMNE-së janë pak më të rezervuar.
“Të gjitha dilemat rreth qëndrimit të Maqedonisë janë pastruar në momentin kur kemi njohur pavarësinë e Kosovës. Marrëdhëniet mes dy vendeve janë të definuara, kemi vendosur marrëdhënie diplomatike dhe nuk kemi asnjë kontest mes veti. Maqedonia si anëtare e OKB-së i respekton rezolutat e kësaj organizate, mirëpo vendimet e GJND-së nuk janë të obligueshme dhe qëndrimi rreth tyre ndërtohet në nivel bilateral”, deklaroi për “Lajm”, zëdhënësi shqiptar i Qeverisë Shefik Duraku.

Për dallim prej tij, zëdhënësi maqedonas i Qeverisë Martin Martinovski thotë se vendimi i GJND-së do të komentohet pasi të bëhet publik më 22 korrik.
“Atë do ta komentojmë pasi ta shohim vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Mirëpo tani qëndrimi i Maqedonisë lidhur me Republikën e Kosovës është shumë i qartë – Maqedonia e ka njohur pavarësinë e Kosovës”, thotë Martinovski, duke i ikur përgjigjes së drejtpërdrejtë në pyetjen nëse Maqedonia do ta ndryshojë qëndrimin ndaj Kosovës, nëse mendimi i GJND-së është në favor të Serbisë.

Maqedonia e ka njohur pavarësinë e Kosovës në tetor të vitit 2008, kurse një vit më vonë u vendosën edhe marrëdhënie diplomatike mes dy vendeve. Mirëpo gjatë procesit para GJND-së Maqedonia ka mbajtur status neutral, duke mos dëshmuar as në favor të Kosovës e as në favor të Serbisë.
As në Ministrinë e punëve të jashtme akoma nuk kanë qëndrim të qartë se si do të reagojnë ndaj vendimit të GJND-së për Kosovën.
“Kur do të kemi qëndrim zyrtar për këtë çështje do ta bëjmë publik për të gjitha mediat. Mirëpo për momentin nuk mundem të komentoj asgjë sepse ministri Milloshsoski deri ta martën do të jetë në Kazakistan dhe Bruksel dhe nuk mundem ta kontaktoj për të marrë qëndrim”, deklaroi zëdhënësi i MPJ-së, Petar Çulev.
Ekspertët dhe analistët në Shkup vlerësojnë se për Maqedoninë nuk do të jetë mirë që të ndryshojë mendimin e saj rreth pavarësisë së Kosovës.
“Maqedonia nuk guxon të bëjë ndonjë ndryshim të vendimit për njohjen e pavarësisë. Në kushtet tona, nuk besoj se Maqedonia do të lejojë të ndryshojë vendimin”, thotë analisti Sasho Ordanoski edhe pse vlerëson se vendimi i GJND-së do të jetë “i balancuar në favor të Serbisë, si ngushëllim që ka humbur Kosovën”.

Për dallim prej tij, beson se vendimi do të jetë bë dobi të Kosovës. “Mendoj se vendimi final do të jetë në favor të Kosovës duke i rrëzuar si të paarsyeshme akuzat e Serbisë. Por, edhe nëse vendimi është kundër Kosovës ai nuk është obligativ, nuk mund ta ndryshojë aspak vendimin për pavarësi në e Kosovës, Kushtetutën e saj dhe marrëveshje të tjera”, tha Kadriu. Sipas tij, vendimi ka zgjuar mjaft interesim pasi shumë shtete që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës pritet ta bëjnë atë pas mendimit të GJND-së.

Osman Kadriu mendon se mendimi i GJND-së nuk do të reflektojë asgjë në Maqedoni. “Shkupi zyrtar e ka njohur Kosovën e pavarur dhe nuk ka ndryshim të vendimit. Kjo do të shkaktojë vetëm një dridhje, shqetësim të Serbisë”, tha Kadriu. (lajm)
Shtuar më 18/07/2010, ora 13:20
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori