Vendimet për "Ben Qimen" dhe Arben Gropën, Prokuroria kërkon verifikim nga KLD
Pëlqej
Prokuroria e Përgjithshme, i ka bërë një kërkesë Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Ministrisë së Drejtësisë, që të verifikojë procedurat e tre vendimeve gjyqësore, të marra në ngarkim të Arben Isufaj, Arben Gropa, Erjon Sadikaj.

Një prej këtyre vendimeve ka të bëjë me Arben Gropën, pasi ai u la nga gjykata me “arrest shtëpie” dhe nga kjo përfitoi që të arratisej. Vendimi tjetër lidhet me Arben Isufaj, i njohur ndryshe me emrin “Ben Qimja”, i cili u la gjithashtu në “arrest shtëpie”.

Me anë të një konference për shtyp, drejtoresha e kabinetit në Prokurorinë e Përgjithshme, Florida Ballauri, deklaroi se organi i akuzës i konsideron të pabazuara në prova vendimet e gjykatave për çështjen e “Ben Qimes”, si dhe caktimin e masës së sigurisë për Arben Gropën, i cili rezulton i arratisur, por dhe çështjen e shtetasit Erjon Sadikaj.

“Kërkojmë nga KLD dhe Ministria e Drejtësisë, që të vlerësojnë procedurën që është ndjekur për caktimin e masës se sigurisë për Arben Gropën.

Në vlerësimin e Prokurorisë së Përgjithshme, ky vendim është i pabazuar ne prova. Shtetasit Gropa i është krijuar mundësia t’i shmanget drejtësisë.

Kërkojmë verifikim edhe për vendimin për shuarjen e masës së sigurisë për shtetasin Arben Isufaj dhe vendosjen ndaj tij të masës "arrest në shtëpi". Duhet verifikim edhe për vendimin për lirimin e shtetasit Erjon Sadikaj. Në vlerësimin e Prokurorisë, ky vendim është i pabazuar në prova”, u shpreh Ballauri. /albeu.com/
Shtuar më 04/08/2014, ora 11:18
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori