Vendimet e gjykatave me shkelje, Presidenca: MD të fillojë procedimin disiplinor
Pas letrës që Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri i dërgoi Presidentit të Republikës, Bujar Nishani në lidhje me 25 vendimet e gjykatave dhe Prokurorisë së rezultojnë me shkelje, ka reaguar ky i fundit.

Sipas informacioneve që përcjell Kabineti i Presidentit të Republikës, bëhet e ditur se Institucioni i Presidencës do shqyrtojë këto raste, duke bërë verifikimet e duhura, duke shtuar se ankimimin do ja përcjellë Ministrisë së Drejtësisë.

“Kabineti i Presidentit e siguron ministrin, se Institucioni i Presidentit të Republikës do ta përcjellë këtë ankim tek Ministri i Drejtësisë duke i kërkuar këtij të fundit të kryejë me shpejtësi të gjitha verifikimet e nevojshme dhe si autoriteti i vetëm që ligji njeh për fillimin e masave disiplinore ndaj gjyqtarëve që shkelin ligjin, të fillojë procedimin disiplinor për të gjitha rastet e konstatuara me shkelje.

Institucioni i Presidentit të Republikës do të dëshironte të shihte një koordinim dhe bashkëveprim të drejtpërdrejtë midis ministrave të qeverise për çështjet që ligji i ngarkon, por mbetet i gatshëm të angazhohet për ta lehtësuar këtë bashkëpunim të tyre.”-citohet në deklaratën e Presidencës, drejtuar mediave. Sipas Presidencës, në kuadër të reformës në drejtësi, do ti kërkojë Qeverisë një platformë, e më pas do të nisin konsultimet dhe me Komisionin e Venecias.

Institucioni i Presidentit të Republikës, duke e konsideruar reformën në drejtësi si një nevojë të madhe për qytetarët shqiptarë, nxit Qeverinë Shqiptare që në vijim të konkluzioneve dhe rekomandimeve të Konferencës se 6 Tetorit, të inicuar nga Presidenti, të paraqesë sa më parë një Platforme për këtë reformë dhe Planin e Veprimit për realizimin e saj. Të nise sa më parë konsultimin e saj me Komisionin e Venecias, Komisionin Evropian, misionet ndërkombëtare të SHBA dhe BE si dhe aktoret vendas, për të patur një rezultat konkret te kësaj reforme.”-përfundon deklarata e Presidencës.
Shtuar më 25/10/2014, ora 20:02

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori