Arben Isaraj, zv.ministër i Drejtësisë
Këshilli i Ministrave emëroi dje në postin e zv.ministrit të Drejtësisë ish-deputetin e PS-së në qarkun e Vlorës Arben Isaraj.

Gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë, e cila zgjati më shumë se një orë, janë bërë dhe disa emërime të prefektëve vakantë dhe drejtorëve të rëndësishëm. Besnik Dervishi, ish-deputet i PS, ministër dhe prefekt i Tiranës, është emëruar prefekt i qarkut të Vlorës.

Kryeministri ka bërë dje “lirimin nga detyra të prefektit të qarkut të Vlorës, Eduart Veçanit, dhe emërimin në këtë detyrë të Besnik Dervishit”. Po ashtu është emëruar dhe prefekti i qarkut të Lezhës. “Këshilli i Ministrave vendosi lirimin nga detyra të prefektit të qarkut të Lezhës, Pal Dajçit dhe emërimin në këtë detyrë të Ndrec Dedës”, thuhet në njoftimin zyrtar të Kryeministrisë.

Deda, ish-deputet i PS në legjislaturën e kaluar dhe drejtor i Policisë Bashkiake të Tiranës, ishte i katërti në listën e kandidatëve për deputet në qarkun e Lezhës. Me dy emërimet e djeshme, plotësohet e gjithë harta e vendit me prefektë të rinj të emëruar nga qeveria e re, pjesa më e madhe e të cilëve tashmë janë prezantuar dhe kanë filluar nga puna. Me emërimet e djeshme, mbeten edhe pak hapësira në postet e zv.ministrave për t’u ndarë me aleatët e koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane”.
Shtuar më 10/10/2013, ora 10:47
Tage: arben isaraj
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori