Vëmendje mbi pasojat e punës në Call Center
nga Erion Muça -

Prej më shumë se dy vitesh në daljet publike kam folur dhe drejtuar pyetje në media rreth problemeve shëndetësore dhe pasojave psikologjike që i shkakton të rinjve punacall center. Përtej këtyre daljeve është studimi i fundit që provon çfarë kam deklaruar i cili tregon se 31.5 % e të punësuarve në call center kanë probleme shëndetësore me syte veshët dhe stresin. Punacall center është pozitive për një student që mund të punojë 4 orë dhe të mund të përballojë shpenzimet e shkollimit por nëse tejkalohet koha e të punuarit në të edhe pas diplomimit, për efekt të joshjes nga kushtet dhe paga, si dhe mosimpenjimi i parë si pamundësi alternativash për tu sistemuar diku tjetër, përbëjnë elementë vrastarë të së ardhmes profesionale të të rinjve të diplomuar. Të diplomuarit që punojnë në call center bartin problematika shumë të mëdha përsa i përket të mbeturit prapa ritmit të zhvillimit të profesioneve ku janë shkolluar. Ata janë të tërhequr së vlerësuari alternativa të tjera pasi presin kudo të njëjtat kushte, të njëjtën pagë dhe të njëjtën siguri që ofron sadopak call centeri dhe shumë pak të rinj marrin iniciativën ta braktisin sektorin dhe po aq më pak marrin përsiper riskun edhe të mbeten pa punë duke sakrifikuar shumë, këmbëngulur fort dhe marrin guximin për të punuar jashtë këtij sektori.

Ata mbyllen në një ambjent që i kthen në robotë që duhet të sfidojnë kohën dhe që riprodhojnë pa pushim një tekst, proces i cili i pengon të mëndojnë, arsyetojnë, logjikojnë, japin prioritete, bashkëbisedojnë, durojnë, të jenë fleksibël por kanë maninë të të bindin me presion për të imponuar atë që të thonë, sjellje e kthyer tanimë në zakon dhe ves edhe në jetën e përditshme. Ata mësojnë më shumë sesi të jenë të egër, dinamikë dhe të shkathët krahasuar me kolegët në kuadër të arritjes së objektivave në pune dhe këtë e prezantojnë dhe trajtojnë si aftësi, integrim apo punë në skuadër. Ata ndihmojnë veten në punën në call center për të mësuar kulturën dhe edukatën e punës pavarësisht se nuk mungojnë rastet e presionit për ti nënshtruar dhe shtyrë psikologjikisht edhe jashtë mundësive, kapaciteteve dhe potencialeve të aftësive individuale, që të arrijnë targetet dhe rezultatet e kërkuara.

Ata trajtohen si ushtarë që kanë një mision para të cilit nuk ekziston as koha, as jeta sociale dhe humane dhe as mirëkuptimi për tu përshtatur efiçencës së mundshme njerëzore të gjithsecilit në punë dhe as komunikimi por vetëm monologu dhe trysnia për realizimin e kontratave. Ata kanë një sistem të shprishur hierarkik ku shefi është gjithmonë ai që ka më shumë eksperiencë dhe jo domosdoshmërisht më i kualifikuari si dhe ai që e ka nisur si operator dhe falë aftësive për të nënshtruar kolegët dhe pirë lëngun vlerave, edukatës, normave, mirësjelljes, etikës së komunikimit është promovuar. Punacall center është një stërvitje mendore dhe acarim nervash pra një sfidë e përditshme me veten drejt rezultateve që duhen arritur . Aty të punësuarit frikësohen në gen mbi targetin dhe trajtohen përgjithësisht si kavie eksperimenti njerëzor sesa të ardhura do të nxjerrin duke u shtrydhur nga shfrytëzimi jashtë limiteve.

Ata programohen për të qenë një makineri që vetëm flet dhe vetëm tenton të bindë duke shpërfillur tjetrin duke i imponuar në pjesën më të madhe të rasteve një zgjedhje në kushtet e kondicionimit apo sikletit dhe aspak dëshirës. Punacall center është një e keqe e zgjedhur nga halli për një pagë të mirë dhe pandërgjegjshmëria mbi dëmet dhe pasojat që shkakton, kanë sjellë edhe masivizimin e të rinjve drejt tyre. Punacall center sjell stres dhe depresion të cilat shfaqen në formën e reagimeve të pakontrolluara nervozizmi dhe shpërqëndrimi, dhimbje koke, mungesë dëshire për të folur dhe dëgjuar nga bombardimi i veshëve nga kufjet etj. Efektet e punës në call center të cilat në një shoqeri si Shqipëria që depresionin nuk e konsideron sëmundje por dhimbje koke dhe nerva, mund të jetë edhe më e dëmshme në të ardhmen e afërt kur të fillojë të trajtohet me rëndësinë e duhur.

Kushtet në Call center janë realtivisht edhe më të mira ndoshta edhe sesa në disa sektorë të tjerë por raporti midis kushteve dhe dëmeve është në disfavor të vetë të punësuarit pasi humbet kohë pavarësisht sigurimit të jetesës duke vrarë fatkeqësisht dhe paralelisht prespektivën për tu zhvilluar profesionalisht dhe promovuar në profilin e vet. Dëmi i shkaktuar nga punacall center është i parekuperueshëm pas shumë vitesh pune pasi kërkon trajtim të veçante social dhe shëndetësor si dhe terapi intensive psikologjike për tu rehabilituar dhe kthyer jetesës normale në tjetër sektor. Nëse ky trajtim nuk realizohet me këtë intensitet, nëse shmangia e të punuarit në këtë sektor nuk ndodh apo minimumi nuk kufizohet orari i të punuarit në të, atëherë do të kemi një brez të ri të konsumuar nga të gjitha pikëpamjet dhe do të jetë shoqëria ajo do të ketë mbi supe këtë barrë fatale. Mjafton ky studim qoftë si indicie pa ju futur më thellë elementeve faktikë të seriozitetit dhe saktësisë së realizimit të tij, për të ngritur alarmin dhe folur gjerë e gjatë, që punacall center përtej nevojës për punë sjell edhe pasoja.

Jam i bindur se si fillim do të mjaftojë trajtimi mediatik i këtij studimi me po të njëjtën rëndësi siç ju dha vendimit të shtetit italian për ti detyruar ofruesit e këtij shërbimi për tu tërhequr nga Shqipëria, për të pritur një rezultat sado të vogël ndërgjegjësimi konkret. Në realitet do të ishte edhe më dinjitoze edhe më e ndershme që media të trajtontë jo vetëm të mirat dhe përfitimet e të punuarit në call center për sigurimin e jetesës siç edhe ka bërë deri tani, por po ashtu edhe për ti vendosur të rinjtë por edhe ofruesit e shërbimit para përgjegjësisë mbi dëmet që u shkaktohen dhe kushteve që duhen plotësuar për minimizimin e këtyre dëmeve.

Jam i habitur sesi u mor guximi të publikohej ky studim dhe rezultati i tij, pasi deri tani i gjithë shteti e ka përkrahur këtë sektor si mbështetës kryesor të përmirësimit të statistikave të punësimit të të rinjve por më shumë edhe si rrjedhojë e pamundësisë së tij për të ndikuar, ofruar dhe krijuar maksimalisht alternativa me profesionale punësimi për të rinjtë sidomos ato që lidhen me punësimin në profesion apo në përputhje me studimet e kryera.

Punacall center ka qenë dhe është një mundësi në një treg pamundësish që ka Shqipëria për tu punësuar por është dhe duhet të jetë për këdo një zgjidhje momentale dhe e përkohshme, drejt një kalimi shumë të shpejtë në një sektor tjetër. Të rinjtë që punojnë në këtë sektor krijojnë një steriotip pritshmërie artificiale nga puna referuar gjykimit sipërfaqësor mbi përfitimet financiare duke shpërfillur rendesine e kualifikimit përgjatë të gjithë jetës dhe tendencës apo ndikimit të vetë sektorit në prishjen e tregut të pagave bazuar në raportin kualifikim-pagë. Rezultati i këtij studimi nuk është surprizë por tani u mor guximi të prezantohej publikisht.

Unë kam rezervat e mia që përqindja e punonjësve të call center-it me probleme shendetësore mund të jetë edhe më lartë pasi të rinjtë refuzojnë të shprehen për problemet shëndetësore si dhe e kanë të vështirë ose nuk duan përgjithësisht ti lidhin apo trajtojnë ato si efekte të punës që kryejnë. Uroj që ky studim të trajtohet dhe analizohet gjerë në media me qëllim ndërgjegjësimin e ofruesve të këtij shërbimi të marrin masa për reduktimin e pasojave negative të punës tek të rinjtë. Uroj gjithashtu që të rinjtë të shkolluar nisur jo vetëm nga ky studim por edhe nga pasojat shëndetësore që ndjejnë se i sjell puna, të ndërgjegjësohen për të reduktuar oraret e punës në këtë sektor ose ta braktisin atë si dhe të kërkojne dhe gjejnë opsione të shpejta, të plota dhe profesionale për tu rehabilituar profesionalisht, për të kapur tempin e nevojshëm dhe rekuperuar kohën e humbur.
Shtuar më 25/01/2018, ora 16:14
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori