Mercenarët rusë tentojnë destabilizimin e Ballkanit, pse u shtua prania e tyre tani

Nga Maksim Samorukov “Carnegie Endowement

 Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Pushtimi rus i Ukrainës ishte një katastrofë e vërtetë për lidhjet e gjata të Moskës me Evropën. Brenda disa muajsh, Rusia e humbi qasjen tek furnizuesit e teknologjisë së importuar dhe në tregjet për eksportet e saj të energjisë, të cilat kërkuan dekada që të krijoheshin.

Ky izolim i dha një goditje të rëndë perspektivës së zhvillimit të vendit, por njëkohësisht do të thotë se ka shumë pak kufizime të mbetura për taktikat shkatërruese që Moska është e gatshme të përdorë ndaj kundërshtarëve të saj evropianë. Brenda Evropës, Ballkani Perëndimor duket veçanërisht i prekshëm ndaj oreksit në rritje të Moskës për të shkaktuar mosmarrëveshje.

Konfliktet e zjarrta etnike të rajonit, afërsia historike me Rusinë dhe inatet kundër Perëndimit, e bëjnë atë një “shesh lojërash” ideal për Kremlinin. Prandaj, nuk është e habitshme pse Perëndimi u alarmua kur në nëntor 2022 u shfaqën raportet e para se kompania famëkeqe ushtarake private ruse, Wagner Group, synonte të zgjeronte aktivitetet e saj në Ballkan.

Qeveria serbe u zotua t’i jepte fund pranisë së Wagner-it në vend. Por dështoi ta bëjë këtë plotësisht. Sot vullnetarët serbë shihen ende duke luftuar për Rusinë në Ukrainë. Ndërsa në shtëpi, radikalët serbë bartin në duar simbolet e Wagner në tubimet nacionaliste, të cilat priren që të kthehen në të dhunshme.

Udhëheqja e Kosovës e ka akuzuar Wagner për përgatitjen e provokimeve në veriun e vendit të populluar nga serbët. Ndërkohë zyrtarët e sigurisë në Bosnje-Hercegovinë pohojnë se përfaqësuesit e Wagner ishin të pranishëm në festimet nacionaliste në entitetin serb të Bosnjes, Republika Srpska.

Megjithatë, udhëheqësit ballkanikë janë të njohur për ekzagjerimin e fakteve për t’ia përshtatur qëllimeve të tyre, dhe pak nga pretendimet e tyre mund të merren seriozisht. Së pari, nuk ka asnjë dyshim se regjimi rus dhe veçanërisht Wagner Group po ndërvepron rregullisht me radikalë të ndryshëm ballkanikë.

Por është më pak e qartë aftësia e tyre për t’i përdorur këto lidhje shpeshherë sipërfaqësore për të arritur ndonjë gjë kuptimplotë. Për shkak të kufizimeve të vendosura ndaj Rusisë si pasojë e luftës së saj Ukrainës, dhe përfshirë varësinë e saj në rritje nga partnerët lokalë në çështjet e Ballkanit, Moska dhe Wagner do të hasnin shumë vështirësi nëse zgjedhin një përpjekje për të destabilizuar një rajon kaq shumë të varur nga Perëndimi.

Objektivat e Rusisë në Ballkanin Perëndimor kanë ndryshuar paksa vitet e fundit. Moska nuk ka synuar ndonjëherë ta tërheqë rajonin në strukturat integruese të udhëhequra prej saj, duke e parë atë si shumë të largët dhe të integruar thellë me Bashkimin Evropian.

Në vend të kësaj, Rusia është përpjekur të manipulojë lidhjet e saj me Ballkanin për të shpërqendruar burimet dhe vëmendjen e Perëndimit larg hapësirës post-sovjetike, të cilën Kremlini e sheh si sferën e ndikimit të Rusisë. Logjika është e drejtpërdrejtë: për sa kohë që integrimi i shteteve të Ballkanit Perëndimor në institucionet euroatlantike mbetet i paplotë, Perëndimi do të hezitojë të shkojë më larg dhe t’i ofrojë anëtarësimin në NATO dhe BE Gjeorgjisë, Moldavisë dhe Ukrainës.

Për këtë arsye, Moska duhet që të vazhdojë ta mbajë Perëndimin të zënë me problemet e Ballkanit, duke penguar zgjidhjen e konflikteve lokale, duke nxitur thellimin e mosmarrëveshjeve ndëretnike dhe duke promovuar ndjenjat anti-perëndimore dhe pro-ruse, të cilat janë tradicionalisht të forta në këtë rajon.

Pushtimi rus i Ukrainës në shkurtin e vitit të kaluar 2022, vetëm sa e rriti urgjencën e këtyre objektivave. Në vend të fitores së shpejtë që priste, Rusia është bllokuar në një luftë shkatërrimi në shkallë të gjerë, e cila po gllabëron me shpejtësi burimet e vendit, dhe po shkatërron ndikimin e saj ndërkombëtar.

Pushtimi ka bashkuar edhe Perëndimin, duke e mobilizuar atë në mbështetje të Ukrainës kundër agresionit. Kjo gjë e bën Kremlinin të besojë se mund ta fitojë lehtësisht luftën nëse Perëndimi lodhet duke e mbështetur Ukrainën dhe shpërqendrohet nga çështje të tjera.

Dhe Ballkani Perëndimor gjithnjë i paqëndrueshëm, dhe i rrethuar nga shtetet e BE-së, duket se i ka të gjithë elementët për t’u bërë një shpërqendrim i tillë. Lufta brutale e Rusisë kundër Ukrainës, ka dështuar t’i bëjë liderët ballkanikë më konstruktivë përballë krizës, ndërsa popullariteti i Rusisë tek shumë ballkanas ka mbetur kryesisht i padëmtuar.

Sepse shoqëritë ballkanike priren ta interpretojnë luftën Rusi-Ukrainë përmes lenteve të përvojës së tyre në luftërat jugosllave të viteve 1990, duke ringjallur inatet e tyre të vjetra kundër Perëndimit. Për pasojë, Ballkani Perëndimor ka një nga nivelet më të larta në botë sa i përket mbështetjes se politikave të Rusisë.

Në Serbi, sondazhet tregojnë se 63 për qind e serbëve fajësojnë Perëndimin për shpërthimin e luftës në Ukrainës, ndërsa 66 për qind e tyre e konsiderojnë ende Rusinë një mike të Serbisë. Në Republikën Srpska brenda Bosnje-Hercegovinës, 52 për qind e të anketuarve e mbështesin agresionin rus kundër Ukrainës.

Në Malin e Zi, 37 për qind e të pyeturve thanë se kanë një opinion pozitiv për presidentin rus Vladimir Putin në një sondazh të kryer në janar të këtij viti. Jo më pak shqetësues është fakti që politikanët pro-rusë në rajon, nuk bëjnë asnjë përpjekje për të fshehur pakënaqësinë e tyre ndaj përpjekjeve të ripërtëritura të Perëndimit për të zgjidhur njëherë e mirë konfliktet ballkanike.

Shumë prej tyre kanë interes që t’i mbajnë ndezur grindjet rajonale, pasi kjo u sjell dobi, si politikisht po ashtu edhe financiarisht. Ky realitet e tundon Kremlinin që të nxisë tensionet në rajon në një mënyrë të tillë, që ato të dalin jashtë kontrollit. Dhe këtu vijnë në ndihmë lidhjet e krijuara prej kohësh midis paraushtarakëve rusë dhe ballkanikë.

Bashkëpunimi ndërmjet formacioneve paraushtarake ruse dhe ballkanike ka një histori të gjatë. Qindra vullnetarë rusë luftuan përkrah serbëve gjatë luftërave jugosllave në vitet 1990. Në vitet 2010, vullnetarët serbë iu kundërpërgjigjën, duke iu bashkuar radhëve të trupave ruse në Donbas dhe Siri.

Gjatë viteve të fundit, nuk kanë munguar raportet se Moska po përgatit grupe paraushtarake ballkanike për të sabotuar integrimin e rajonit me institucionet perëndimore. Në vitin 2016, oficerët e inteligjencës ruse, kryen në bashkëpunim me radikalët serbë një grusht shteti të dështuar në Malin e Zi, në përpjekje për të penguar anëtarësimin e vendit në NATO.

Në vitin 2018, Rusia u akuzua për trajnimin e formacioneve paraushtarake të liderit nacionalist të serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik. Këto raporte u konfirmuan nga Ministri i Sigurisë i Bosnje-Hercegovinës. Në Serbi, radikalët me lidhje të njohura me Rusinë organizojnë protesta nacionaliste sa herë që udhëheqja serbe e përshpejton dialogun me Kosovën. As grupimi ushtarak mercenar rus Wagner nuk është i ri në Ballkanin Perëndimor. Nën presionin e Perëndimit, në vitin 2015 qeveria serbe e bëri vepër penale shkuarjen si vullnetar për të luftuar në konfliktet e huaja. Por kjo nuk i pengoi serbët t’i bashkoheshin kompanisë mercenare ruse. Në vitin 2017, një serb u dënua për luftime në radhët e Wagner, ndërsa një mercenar tjetër serb që luftonte për Wagnerin u vra në Siri.

Presidenti serb Aleksandar Vuicic dhe kreu i Wagner, Yevgeny Prigozhin kanë deklaruar vazhdimisht se grupimi mercenar nuk ka një prani në Serbi. Por Wagner po bëhet gjithnjë e më shumë pjesë e peizazhit politik lokal, qoftë edhe në mënyrë indirekte.

Në janar të këtij viti, në Beograd u shfaq një murale me simbolet e Wagner. Në shkurt, një nga dy radikalët që kishin vizituar zyrën ruse të kompanisë u zbulua se ishte në mesin e rebelëve të arrestuar për përplasje me policinë gjatë protestave kundër Kosovës para godinës se presidencës serbe.

Në mars, njerëz të veshur me simbolet e Wagner u panë në mitingje nacionaliste kundër gatishmërisë së Vucic për të vazhduar bisedimet me Kosovën. Megjithatë, është e dyshimtë që qoftë regjimi rus në përgjithësi apo Wagner në mënyrë specifike, të kenë fuqi apo burime të mjaftueshme për të qenë në gjendje ta shndërrojnë këtë qëndrim frikësues në një ndryshim domethënës mbi situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

Provat e bashkëpunimit ndërmjet paraushtarakëve rusë dhe ballkanikë mund të jenë të gjera, por ato vetëm sa nxjerrin në pah aktivitetet e grupeve të vogla me një organizim të dobët dhe me pak anëtarë. Për shembull Patrulla Popullore, përfaqësuesit e së cilës vizituan zyrën e Wagner-it në Shën Petersburg, është në fakt një grup huliganësh të njohur për rrahjen e emigrantëve aziatikë në rrugët e Beogradit.

Kohët e fundit, lëvizja i është bashkuar formacioneve më të forta ultra të djathtë në organizimin e protestave kundër Kosovës, por mitingjet që ata mbajnë vetë zakonisht mbledhin maksimumi qindra protestues. Lufta kundër Ukrainës ka nxitur oreksin e Rusisë për aventurizëm të politikës së jashtme. Por për sa kohë që Perëndimi ka një prani të fortë sigurie në terren dhe liderët lokalë janë kapur pas përfitimeve të statuskuo-së, përpjekjet e mundshme të Moskës për destabilizim nuk kanë gjasa të japin rezultate. /albeu.com

Marrë me shkurtime


Shtuar 8.04.2023 12:17