VELIERA/ Kumbaro dhe Dako pranojnë të ndryshojnë projektin
TIRANE- Nëse specialistët e arkeologët vendosin, ne jemi gati të ndryshojmë projektin e ‘Velierës’ në Durrës”. Kjo ka qenë deklarata e djeshme e kreut të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, para Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, ku u paraqit në një seancë dëgjimore me ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro.

Deklarata vjen pas imazheve me ekskavator në zonë të diskutueshme arkeologjike dhe pas akuzave për betonizim të trashëgimisë, për çka më vonë, Dako tha se në 10 vite si kryetar bashkie ka bashkëpunuar me disa ministra, dhe se çdo vendim i tij për ndërtime në Durrës, është miratuar nga ministritë e kulturës ndër vite, duke e kaluar mbi ta përgjegjësinë. Projekti për ndërtimin e një sheshi para portit, që kap shifrën e 6 milionë eurove, ka hasur prej ditësh në protesta, pasi dolën në dritë struktura muresh, dy topa të 1800-ës e disa gjyle. Jo vetëm kaq, por bashkia e ministria janë akuzuar se kanë dëmtuar sitin arkeologjik dhe se gjatë këtyre ditëve janë mbuluar mure antike.

“Jemi dakordësuar për të mos betonuar e për të mos kryer punime në linjën gjatësore të fortifikimit antik. Sa i takon mbulimit me çakëll të murit bizantin, në momentin që del muri bizantin bëhet mbushja me çakëll për mbrojtje dhe jo për të zhdukur”, – tha Kumbaro, duke u ndjekur nga kreu i bashkisë, që ofroi vënien në dispozicion të materialeve filmike të dy kamerave që ishin instaluar që prej fillimit të punimeve mbi shesh. Në fakt, gjithë ç’u tha dje në komision, është thënë më herët në media, edhe pse deputetet dukeshin krejt të papërgatitur.

ZONË A APO B
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro tha dje se gjurma e këtij projekti prek pjesërisht zonat A dhe B, për të cilat rregullorja përcakton ndërhyrjet e lejuara dhe kondicionet përkatëse. Në zonën A lejohen “rikonstruksioni i rrugëve dhe të gjitha punimet në rrjetin inxhinierik ujësjellës-kanalizime, ndriçim, telefoni mbi bazën e projekteve të miratuara nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë dhe Këshilli Kombëtar i Restaurimeve. Për të gjitha këto ndërhyrje realizohet mbikëqyrje arkeologjike gjatë zbatimit të punimeve nga specialistët e institucioneve të specializuara”.

Por menjëherë pas saj, fjalën e mori Dako, i cili tha se për projektin e bashkisë, “jo vetëm që nuk u gërmua në zonën e ndaluar A, por çdo punim është kryer në zonën B, por dhe se gjithë ky proces ka leje mjedisore”. Deklaratat në fjalë u kundërshtuan nga shoqëria civile.

PROJEKTI
Projekti është përgatitur nga studioja e arkitekturës shqiptare “ERALD -G + ARKONSTUDIO” dhe një studio të njohur arkitekture nga Italia, “ARCHEA”. Sheshi i ri publik do të ketë një sipërfaqe prej 12 mijë metrash katrorë dhe vela mbi të do të jetë 2 mijë metra katrorë. Vlera e të gjithë këtij projekti do të jetë rreth 6 milionë euro.

PËRPLASJA
Nuk mungoi as përplasja mes shoqërisë civile e pranishme në komision me Kumbaron e Dakon. Përfaqësuesit e shoqërisë civile thanë se arkeologët kanë folur për shkelje dhe mes tyre përmendën edhe Moikom Zeqon, si një ndër emrat që e ka kundërshtuar projektin në Durrës.

Dako tha se Zeqo nuk është arkeolog, por pak më vonë në profilin e tij në “Facebook”, Zeqo shkroi: “Shqiptarë! Vetëm një mendje delirante dhe e papërgjegjshme e koncepton një projekt 6 milionë euro të mbiquajtur ‘Veliera’ për ‘zbukurim’ në zonën A, të mbrojtur me ligj, ndërkohë që nuk është investuar për kanalet e Durrësit, që përmbytet kur bien shirat, pra një çështje substanciale dhe jetike për banorët, kurse shkelja flagrante e ligjit në zonën A të arkeologjisë, për ndërhyrjen brutale dhe kriminale, duhet të ketë të pandehur këta pushtetarë që i fyejnë arkeologët. Midis tyre edhe mua. Janë injorantë të noterizuar dhe shpirtkazmë ndaj vlerave kombëtare dhe ndërkombëtare të trashëgimisë së jashtëzakonshme arkeologjike të Durrësit! Nuk duhet që kulturën ta mposhtin idiotët!”/GSH/
Shtuar më 14/02/2017, ora 09:11

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori