Veliaj: Të vazhdojmë me Edi Ramën për Tiranën që duam
Pëlqej
Nga Kashari, Kryebashkiaku Erion Veliaj kërkoi mbështetjen e qytetarëve për një mandat të dytë qeverisës të Edi Ramës dhe të PS, si një shans për të vijuar me investimet në çdo lagje të kryeqytetit.

“Sot ishim me Sajmirin Tahirin në Misto Mame, një zonë jo shumë larg nga këtu, filluam rehabilitimin e një blloku masiv, 35 ha, rrugë dhe rrugica që të sigurohemi që shkon ndriçimi, që ka kanalizime, që ka ujësjellës, që ka gjelbërim dhe që shkon asfalti dhe trotuari tek dera e çdo shtëpie. Siç kemi bërë tek “Misto Mame”, kemi bërë në 50 lagje çdo vit. Imagjino sa kemi bërë këto 2 vjet, por imagjino sa më shumë mund të bëjmë me Edi Ramën , dy vitet e ardhshme”, tha ai.

Veliaj deklaroi se më 25 qershor, janë dy oferta, ekipi fitues i Edi Ramës dhe i atyre të cilët nuk realizuan asnjë punë. “Vetëm leje ndërtimi, asnjë infrastrukturë, asnjë rrugë, asnjë ujësjellës dhe vetëm adresa ishte në Tiranë se të gjithë janë me ujë pusi. Miqtë e mi, sot ata që ishin kryetarë komune vinë dhe thonë: ju gënjyen njëherë, dy herë, tre herë, tani na jepni votën që ne t’ju gënjejmë edhe njëherë. Besnik Fuçisë , edhe gjithë komunarëve të PD-së iu themi: faleminderit shumë, ne nuk e hamë sapunin për djathë ne do vazhdojmë me PS-në dhe Edi Ramën, që ta bëjmë Tiranën zonjë”, tha Veliaj.

Duke kërkuar një mandat të fortë qeverisës, Kreu i Bashkisë së Tiranës deklaroi se përmes fuqisë së votës, qytetarët do të kenë mundësinë që të zgjedhin të ardhmen për Shqipërinë dhe për Tiranën. “E keni dëgjuar atë lojën e tmerrshme, balena blu, sot të votosh PD është si të luash balenën blu.

E fillon me një gërvishtje, tek niveli i parë, niveli i dytë tatuazhin e Saliut, tek niveli 50 hidhemi të gjithë në greminë. Nuk luajmë balena blu me PD, nuk luajmë lojëra psikologjike me njerëz që në çdo nivel ja bëjnë jetën më ferr banorëve dhe qytetarëve. Ka vetëm 1 të ardhme dhe nuk është lojë, është e ardhmja për Shqipërinë që duam, për Tiranën që duam dhe imagjinoni sa më shumë mund të bëjmë kur Edi Rama është kryeministër me mbi 71 mandate”.

Shtuar më 19/06/2017, ora 17:10
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori