Veliaj: Të shtunën u martova, të dielën në punë shkova (FOTO LAJM)

Pëlqej
Realisht shprehja e njohur popullore është "Të dielën u martova, të hënën në punë shkova", por me ministrin Erion Veliaj vlen "të shtunën u martova, të dielën në punë shkova.

Një ditë pas ceremonisë së dasmës në kalanë e Gjirokastrës, ku Veliaj lidhi kurorë me Ajola Xoxen, sot Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë kreu një vizitë në shkollën profesionale "Thoma Papapano" në Gjirokastër.

Veliaj tha se shkollat profesionale në të gjithë vendin po përgatiten të presin nxënësit për vitin e ri shkollor.

"Kjo shkollë është e vetmja që ofron kurse dhe arsim profesional në qarkun e Gjirokastrës, prandaj dua t’i ftoj prindërit që këto ditë janë në dilemë për shkollimin e fëmijëve të tyre, të zgjedhin arsimin profesional si mundësi reale për punësim në të ardhmen", tha Veliaj, duke sugjeruar veçanërisht kurset e teknologjisë së informacionit, të cilat shkolla "Thoma Papapano" i ofron me një kabinet dhe staf të ri.

Sipas tij, të rinjtë që do të studiojnë në shkollat profesionale do të marrin edhe bursa të plota për konviktin dhe shpenzimet e arsimimit të tyre. "Nëse dikush nga zonat rurale vjen në Gjirokastër për t’u arsimuar, do të ketë mundësi të përfitojë nga sistemi i bursave që qeveria shqiptare ofron për të promovuar arsimin profesional", shtoi ministri Veliaj.

Ai shtoi se është e rëndësishme të fokusohemi te zanatet dhe jo te gjithollogët, për të cilët tregu nuk ka nevojë. /albeu.com/
Shtuar më 07/09/2014, ora 16:29
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori