Veliaj: Taksi ekologjike për qytetarët, nisim testimin e autobusëve elektrik
Pëlqej
Taksia elektrike sot është një mundësi alternative reale në Tirane, me ndotje mjedisore zero dhe kosto ekonomike shumë të ulët.

Me rastin e “Ditës pa makina”, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj mori pjesë në prezantimin e flotës së parë të taksive elektrike në kryeqytet, si dhe të mjeteve të transportit alternativ të lëvizjes, ndërsa bëri të ditur nismën e Bashkisë së Tiranës për të revolucionarizuar transportin publike duke nisur me testimin e autobusëve elektrik.

“Në Tiranë Bashkia ka licencuar rreth 800 taksi të cilat të gjitha bashkë prodhojnë në një vit 3200 ton karbon. Imagjinoni 200 mijë makina dhe 60-70 mijë që vijnë nga rrethet çdo ditë në Tiranë, çfarë ndodh dhe sa mijë ton.

Kur Kina që ka patur reputacionin e vendit të mbi industrializuar ka dhënë urdhër që të gjithë makinat që do të prodhohen të reja të jenë elektrike dhe kur Kina që është një vend kaq i madh dhe që luhen kaq shumë interesa ekonomike merr një vendim të tillë të guximshëm, një vend i vogël si Shqipëria apo një qytet si Tirana duhet medoemos ta marrë këtë vendim.

Më vjen mirë që sot kemi kompani taksish, të cilat janë 100% elektrike. Doni të merrni udhëtime taksi, përdorni një nga makinat elektrike të taksive, paguani të njëjtin çmim që prodhon metri, pro ama i kemi shpëtuar natyrës dhe fëmijëve të këtij qyteti një ndotje të jashtëzakonshme”, tha Veliaj.

Transformim do të pësojë edhe transporti urban, ku shumë shpejt në rrugët e kryeqytetit do të lëvizë flota e autobusëve elektrikë e cila do të sjellë edhe një ulje të konsiderueshme të ndotjes.

Kryebashkiaku, Erion Veliaj bëri të ditur se duke filluar nga muaji i ardhshëm, Bashkia e Tiranës do të nisë testimin e autobusëve elektrik, ndërsa u kërkoi operatorëve privatë që të zëvendësojnë flotën aktuale të autobusëve, me mjete elektrike.

“Ne do të fillojmë nga muaji tjetër fillimisht me një kompani europiane e pastaj me një kompani kineze testet për autobusët elektrik. Kështu që do ju ftojmë që të jeni pjesë e kësaj eksperience.

Ju kam thënë të 25 operatorëve në Tiranë, kërcënimin se keni nga njëri-tjetrin, konkurrencën e keni nga Bashkia e Tiranës, e cila po përgatitet që të krijojë një kompani të vetën dhe sigurisht që do të marrë kë linjë të ketë mundësi të përballojë me blerjet e autobusëve që të mundet.

Operatorët kanë nënshkruar një kontratë e cila ka një klauzolë, që në çdo moment që bashkia ka alternativë transportin elektrik ose me hidrogjen, do t’i heqë licencën dikujt që e ka me naftë për ta zëvendësuar me dikë që e ka makinë elektrike.

Ndaj mesazhi për operatorët, vraponi blini autobusë elektrike”, tha Veliaj. Bashkia e Tiranës është qyteti i parë në vend i cili ka nisur nga puna për ngritjen e infrastrukturës së nevojshme e cila të nxisë përdorimin e automjeteve elektrike duke krijuar një qasje të re dhe miqësore me mjedisin.

Ndërkohë, kreu i bashkisë bëri të ditur se pas Sheshit “Skënderbej”, edhe Sheshi “Nënë Tereza” do të shndërrohet tërësisht në pedonale për qytetarët.

“Ne jemi produkte të vendimeve që marrim, po të marrim vendime të drejta, të guximshme pavarësisht histerisë që shpërthen ndonjëherë nga ca minoranca të zhurmshme ne mund t’ia dalim që të kemi një qytet më të mirë siç është rasti i hapësirave pedonale permanente siç është sheshi “Skënderbej”, Pazari i Ri edhe disa zona të tjera më të vogla.

Kështu që arsyeja pse e fillojmë te sheshi “Nënë Tereza” është se brenda këtij mandati jo vetëm pasditeve gjatë verës, por në kohë të plotë sheshi “Nënë Tereza” do të kthehet në një hapësirë tjetër pedonale për qytetin.

Gjersa kemi pasur duk në ato hapësira që kemi kthyer dhe ajri është më i pastër në Tiranë, në ato hapësira sigurisht atëherë mesazhi që marrim është që të vazhdojmë në këtë mënyrë:, u shrpeh ai.

Por Tirana do të ketë edhe një sërë hapësirash të tjera pedonale të cilat do të jenë tërësisht në shërbim të qytetarëve për të kaluar orët e lira si dhe për aktivitete të ndryshme social-kulturore.

Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se në kryeqytet do të ndërtohen disa zona pedonale. “Edhe hapësirat e tjera pedonale që do të kthejmë në Tiranë do të jetë kjo zonë, do të jetë pjesa pas Ministrisë së Arsimit ku është “Heminguej” dhe të gjithë shtëpitë karakteristike aty.

Shikojmë që ka një potencial për një hapësirë të ngjashme si Pazari i Ri, por ndoshta me një karakter pak më artistik dhe pak më kulturor me librat dhe me të gjithë aktivitetet që janë aty plus edhe shërbimet kulinare.

Një hapësirë e tretë ka të bëjë me zonën e Bllokut , me damarët që ecin paralelisht me Lanën. Duam që në verën e ardhshme në fakt, në mënyrë permanente rrugicat e Bllokut të jenë hapësira pedonale, kurse rrugët që janë pingul me Lanën të jenë damarët ku do të vazhdojë të lëvizë trafiku”, tha Veliaj. /albeu.com/
Shtuar më 22/09/2017, ora 12:40
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori