Veliaj: Restauruam Monumentin e Pavarësisë, kështu i përgjigjemi vandalizmit
Në Ditën e Pavarësisë së Tiranës, kryeqyteti mori si dhuratë restaurimin e Monumentit të Pavarësisë, i cili tre muaj më parë u mor në përkujdesje nga bashkia, për shkak të vandalizimeve.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me familjarët e firmëtarëve të Deklaratës së shpalljes të Pavarësisë të kryeqytetit, vizitoi sot monumentin e restauruar, si dhe i uroi pavarësinë të gjithë qytetarëve te Tiranës.

“103 vite më parë, në 26 Nëntor 1912, baballarë, gjyshër, të afërm të familjarëve që ndodhen këtu sot, shpallën Pavarësinë e Tiranës. Ndaj, dua t’i falenderoj pasardhësit e familjeve të firmëtarëve të Pavarësisë, të cilët ngritën flamurin në Tiranë. Gëzuar, qofshi gjithmonë të lumtur e t’i kujtoni paraardhësit tuaj, që na bëjnë të ndihemi krenarë edhe ne, këtu, sot në Tiranë!”, u shpreh Veliaj.

Lidhur me restaurimin e Monumentit të Pavarësisë, kryebashkiaku i Tiranës solli në vëmendje se ky simbol i 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, deri 3 muaj më parë, jo vetëm që nuk ishte paguar, por ishte lënë edhe në mëshirë të fatit, duke u kthyer në një hapësirë të pakëndshme.

"Ky angazhim i Bashkisë së Tiranës, i ekipit në qendrën e monumenteve dhe veprave të artit në qytet dhe i gjithë familjarëve, është mënyra se si ne i japim një përgjigje qytetare vandalizimit. Nuk mundet që, në një qytet ku financat nuk i ka me tepri, të shpenzojmë për rikonstruksione çdo vit të gjërave që kushtojnë”, deklaroi Veliaj.

Ai tha se qyteti ka kaluar një situatë të vështirë, por me rregullat e reja, të gjithë qytetarët duhet të ndihmojnë që këto vepra të mos vandalizohen më.

Njëkohësisht, Bashkia e Tiranës ka nisur rehabilitimin e të gjitha monumenteve dhe lapidarëve në kuadër të festave të 28-29 nëntorit.

“Kemi nisur një proces, jo vetëm për Monumentin e Pavarësisë, por edhe për të riparuar Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë, si dhe të të gjitha institucioneve që kujtojnë festën e Pavarësisë dhe Çlirimit. Një qytet i mirë është një qytet me kujtesë dhe sot ne po sillemi si qyteti i mirë që i kujton të parët e vet, themeluesit e Tiranës, ata që shpallën Pavarësinë, si dhe ata që luftuan për çlirimin e vendit”, deklaroi Veliaj.

Krahas rehabilitimit të monumenteve dhe lapidarëve në të gjithë qytetin, Bashkia e Tiranës do të organizojë disa aktivitete në kuadër të festave kombëtare të nëntorit. “Në datën 28 do të kemi ceremoninë e ngritjes së flamurit në sheshin "Skënderbej". Ftojmë të gjithë qytetarët të jenë pjesë e ceremonisë simbolike të ngritjes së flamurit në Tiranë, në të njëjtin moment që do të ndodhë në gjithë Shqipërinë”, tha Veliaj.

Më tej, kryebashkiaku sqaroi se pas ngritjes së flamurit, aktivitetet do të vijojnë në parkun e Dajtit me aktivitete sportive. “Në datën 29 Nëntor do të kemi sërish një ditë pa makina, jo sepse i kemi inat makinat, por se siç atëherë u çliruam pushtuesit, sot duhet të çlirohemi nga një pushtues tjetër që është smogu dhe ndotja në Tiranë. Edhe me kërkesë të shumë qytetarëve, që një herë në muaj ne të kemi një ditë pa makina, kemi zgjedhur që kjo të jetë data 29”, tha Veliaj. Sipas tij, i gjithë bulevardi, Unaza e Vogël, do të jetë e mbushur me aktivitete, ndërkohë që në darkë do të vijohet me Natën e Bardhë. “Rikthejmë traditën e Natës së Bardhë në Tiranë, ku do të kemi një koncert të madh në sheshin “Skënderbej” me këngëtarin John Newman, të cilin të rinjtë e qytetit e kanë shumë për zemër”, deklaroi Veliaj.

Drejtori i Qendrës së Realizimit të Veprave të Artit, Agim Rada, falenderoi Bashkinë e Tiranës, jo vetëm për restaurimin e kësaj vepre, por që mundësoi që kjo vepër të rikthehet në identitet. “Fitorja më e madhe do jetë kur këto vepra të kenë vlerën që meritojnë, të respektohen nga qytetarët, njësoj siç patën respekt paraardhësit e tyre për vendin tonë. Qytetaria jonë e meriton këtë. Siç sqaroi edhe kryetari i Bashkisë, nuk ka ndodhur kurrë që një vepër arti të ruhet me policë, aq më tepër një monument që përfaqëson Pavarësinë. Të gjithë qytetarët bashkë duhet ta ruajmë, ta mirëmbajmë, të mos e ndotim”, deklaroi Rada.

Më herët, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Veliaj, priti në zyrën e tij familjarë të firmëtarëve të Pavarësisë së Tiranës dhe krerët e komuniteteve fetare, të cilëve u dorëzoi edhe nga një medalje mirënjohjeje. /albeu.com/

Shtuar më 26/11/2015, ora 15:54

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori