Veliaj: Qendra sociale për njerëzit në nevojë, zgjidhje të çështjes së strehimit
Pëlqej
Bashkia e Tiranës do të trajtojë me bonus strehimi disa nga familjet në nevojë të cilat nuk mund të përballojnë qiranë në tregun e lirë si dhe do të përfshijë në regjimin e kuotave ditore edhe Qendrën Komunitare Shkozë.

Kryebashkiaku Veliaj deklaroi në mbledhjen e Këshillit Bashkiak se gjatë këtyre dy viteve është bërë një punë e lavdërueshme në ngritjen e këtij sistemi i cili më parë ka qenë inekzistent.

Veliaj deklaroi se sot në Tiranë janë 5 qendra sociale funksionale, ku 4 administrohen 100% nga Bashkia Tiranë dhe njëra në partneritet me një OJQ. Rreth 90 profesionistë të fushës, duke filluar nga punonjësit socialë e duke vazhduar deri tek psikologët e mjekët, u shërbejnë një vakt të ngrohtë 350 qytetarëveTiranës, dhe shërbime multisiplinore për 300 fëmijë.

Gjatë vitit 2016-2017 në terren kanë operuar nga 12 skuadra terreni duke realizuar maksimalisht 160 dalje në muaj, duke identifikuar 313 fëmijë në situatë rruge, 165 të të cilëve janë në menaxhim dhe po ndihmohen aktivisht për ofrimin e shërbimeve.

Veliaj bëri të ditur se Bashkia ka filluar një projekt me fonde IADSA për ngritjen e një strehëze permanente për personat në situatë rruge, për t’ju ofruar këtyre qytetarëve qoftë mundësinë për të kaluar natën të sigurt apo për të marrë një vakt ushqim, por edhe për të marrë shërbime higjienike e mjekësore në çdo ditë të vitit, pa u dashur të ndodhin emergjenca.

Krahas saj, Veliaj theksoi se po punohet për ngritjen e Magazinës së Emergjencave të Tiranës, që do të shërbejë si rezerva e qytetit për të përballuar emergjenca të tjera në të ardhmen, por edhe si një vend ku mund të ruajmë donacionet e shumta që na ofrojnë shumë qytetarë apo biznese e organizata të cilat mund t’u shpërndahen më pas sipas nevojave qytetarëve.

Krahas saj, Kryebashkiaku deklaroi se Bashkia ka shpërndarë 185 banesat sociale në Shkozë si dhe bonus strehimi për 340 familje të Tiranës. “Kemi punuar edhe për zgjidhje më të qëndrueshme për problemin e strehimit pasi ky nuk është një problem që mund të zgjidhet duke ndërtuar blloqe banimi.

Zgjidhja që kemi gjetur, është programi për subvencionimin e interesave të kredisë, përmes të cilit 1000 familje të Tiranës do të përfitojnë kredi të buta për të blerë një banesë.

Është një projekt fantastik, pasi jo vetëm që siguron strehim për 1000 familje, por edhe injekton rreth 60 milionë dollarë në ekonominë e Tiranës, duke krijuar punësim, por edhe mundësi të reja ekonomike”, tha Veliaj.
Shtuar më 31/05/2017, ora 13:51
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori