Veliaj pushon nga puna policin e famshëm të gjobës së PD
Anëtarja demokrate e Këshillit Bashkiak të Tiranës, Reila Bozdo, ka akuzuar Erion Veliaj për hakmarrje ndaj vartësve të tij që nuk i binden. Ajo bëri me dije se Polici i Bashkisë së Tiranës, Besmir Karaj është pushuar nga puna, pas denoncimit që bëri në Prokurori ndaj kryebashkiakut Erjon Veliaj për falsifikimin e firmës së tij për gjobën ndaj Partisë Demokratike në protestën 8 Dhjetor 2015.

"Erion Veliaj, falsifikatori i gjobës që i vuri protestës popullore të 8 Dhjetorit, është hakmarrë ndaj policit bashkiak Besmir Karaj, duke e larguar nga puna.

Karaj pati integritetin dhe kurajon që ta denonconte publikisht se firma e gjobës nuk ishte e tija, se ishte falsifikuar. Për këtë ai bëri dhe një kallëzim penal në prokurori me 10 Dhjetor.

Falsifikimi i dokumentave është një vepër e rëndë penale, mirëpo nga 10 dhjetori i vitit të kaluar e deri më sot, prokurori i çështjes nuk ka ndërmarrë asnjë hap për këtë çështje.

Prej 5 muajsh, prokurori Ardian Dyrmishi, mban të mbyllur në sirtar këtë kallëzim, ka provat dhe faktet e mjaftueshme dhe nuk ndërmerr asnjë veprim ligjor ndonëse mediat raportuan se edhe laboratori shkencor i policisë konfirmoi falsifikimin e firmës nga Bashkia.

Partia Demokratike i kërkon sot këtij prokurori të tregojë se çfarë ka bërë me këtë çështje, pse ai nuk kryen detyrën që i ngarkon ligji.

Ja ku kemi mbërritur me Edi Ramën, me shtetin e tij të korruptuar e kriminal. Denoncuesi i krimit, i falsifikimit, polici Karaj që prej tre vitesh në detyrë nuk kishte asnjë vërejtje apo shkelje, hidhet në rrugë, ndërsa autori i krimit, falsifikatori, Erion Veliaj nuk preket, madje vazhdon të trashë zullumin çdo ditë.

Kjo është oligarkia kriminale e Edi Ramës ku ndëshkohet denoncuesi dhe mbrohet shkelësi i ligjit, falsifikatori, gënjeshtari Veliaj. /albeu.com/

Shtuar më 10/05/2016, ora 11:01

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori