Bllokimit të shërbimeve publike online, Meta: Tepër e rëndë, kompromenton funksionimin e shtetit

Presidenti Ilir Meta ka reaguar në lidhje me bllokimin e shërbimeve publike online. Meta shkruan në Facebook se, e vlerëson të rëndë situatën dhe shton se e rëndon akoma më shumë dhe e kompromenton funksionimin e shtetit, në të gjitha hallkat, ku veçanërisht qytetarët janë ata që i vuajnë pasojat më së shumti.

“E vlerësoj tepër të rëndë situatën e krijuar si pasojë e bllokimit të shërbimeve publike online, që ka krijuar vështirësi të jashtëzakonshme për qytetarët, bizneset dhe për shumë veprimtari të tjera të lidhura me këtë sistem.
Në mënyrë të përsëritur edhe në mbledhjet e Këshillit të Sigurisë Kombëtare përpara agresionit kundër Ukrainës, kam kërkuar marrjen e të gjitha masave për rritjen e sigurisë kibernetike, për të parandaluar ngjarje të tilla.
Kjo situatë, në kontekstin edhe të zhvillimeve të brendshme dhe ndërkombëtare, e rëndon akoma më shumë dhe e kompromenton funksionimin e shtetit, në të gjitha hallkat, ku veçanërisht qytetarët janë ata që i vuajnë pasojat më së shumti.
Apeloj marrjen e masave të menjëhershme, serioze dhe të përgjegjshme, duke mobilizuar ekspertizën e nivelit më të lartë profesional për zgjidhjen sa më të shpejtë dhe vënien nën kontroll të situatës, për të siguruar që ngjarje të tilla të mos përsëriten më në të ardhmen”, shkruan Meta./albeu.com