Veliaj një xhiro me autobus
Ministri Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj, i bëri thirrje sot bashkive që të respektojë ligjin për statusin e invalidit, i cili u garanton atyre udhëtim falas në transportin qytetas. Teksa ka hipur vetë në njërën nga linjat e autobusave që operon në Tiranë për të inspektuar urdhërin e nxjerrë para pak ditësh nga MMSR për udhëtimin falas të personave me aftësi të kufizuar, Ministri Veliaj tha se problemet më të mëdha janë vërejtur në Bashkinë e Tiranës.

“Më rezulton se problemet më të rënda janë vërejtur në Bashkinë e Tiranës. Përveç linjës së Kamzës, asnjë nga linjat e tjera nuk e ka respektuar urdhërin. Prandaj, hipa sot në autobus, së bashku me disa qytetarë që janë të pajisur me dokumentin e invaliditetit, për të parw respektimin e ligjit. Me sa duket, ligji u njihka, por disa njerëz zgjedhin të mos e zbatojnë atë”, u shpreh z. Veliaj.

Sipas tij, ligji për statusin e invalidit u garanton atyre udhëtim falas dhe vende të lira në çdo autobus.

“Përpara disa ditëve u bëra një apel të gjitha bashkive, sidomos Bashkisë së Tiranës ku abuzimi dhe mosrespektimi i ligjit ka qenë më i madh, që të interesohet për çështjet që i takojnë asaj. Kur lidh kontrata me shoqatat e transportit duhet të respektojë së pari, njerëzit më të dobët të shoqërisë, personat me aftësi të kufizuar dhe ata që janë të pajisur me një dokument invaliditeti”, deklaroi ministri Veliaj.

Ministri i bëri thirrje edhe shoqërive të transportit që ta respektojnë ligjin.


“Ligji për liçencat e shoqërive të transportit thotë se ato mund ta marrin liçencën vetëm nëse plotësojnë kushtin e udhëtimit falas të personave invalidë. Çka do të thotë se edhe mund ta humbasin liçencën nëse nuk e zbatojnë atë”, tha ai. /albeu.com/
Shtuar më 03/06/2014, ora 15:53

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori