Veliaj në Verona, takon homologun Sboarina dhe Presidentin e Venetos
Pëlqej
Pas bashkëpunimit të suksesshëm në fushën e pastrimit të qytetit, Bashkia e Tiranës dhe ajo e Veronës do të konkretizojnë shumë shpejt dy marrëveshje të rëndësishme në fushën e transportit publik dhe ndriçimit.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, zhvilloi një vizitë të shkurtër në Itali, me ftesë të kryebashkiakut të Veronës, Federico Sboarina, me të cilin diskutoi mbi thellimin e bashkëpunimit mes dy qyteteve, si dhe për pjesëmarrjen e prodhuesve shqiptarë në eventin më të madh ndërkombëtar të verës, "VinItaly".

Veliaj u shpreh se bashkëpunimi mes Tiranës dhe Veronës do të vijojë me modernizimin e flotës së autobusëve. “Po studiojmë mënyrën se si edhe me ndriçimin e qytetit, edhe me transportin publik, të ecim përpara.

Ashtu siç kam premtuar, nëse privatët nuk do modernizojnë flotën e mjeteve, duke i kthyer ato në elektrike, bashkëpunimi me Veronën është prova konkrete që kemi nisur për të zëvendësuar shumë prej linjave private.

Ashtu siç bëjmë më mirë pastrimin e qytetit, ashtu do të bëjmë edhe transportin publik”, tha Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Veronës, Federico Sboarina u shpreh entuziast për këtë bashkëpunim të ri me Tiranën, të cilën e vlerësoi si një qytet që po rritet me shpejtësinë e dritës.

“Në Tiranë pata një mikpritje të pabesueshme. Munda të shoh për herë të parë një qytet me një energji të madhe, që po rritet vërtet me shpejtësinë e dritës.

U takuam edhe me Presidentin e rajonit të Venetos, Luza Zaia, me të cilin diskutuam projekte të rëndësishme.

Gjëja më thelbësore është se u krijua një raport i vërtetë mes dy kryetarëve të bashkive, të cilët e duan tokën e tyre dhe kështu mund të ndërtojnë së bashku diçka të rëndësishme”, tha Sboarina.

Veliaj nënvizoi se tashmë dy qytetet kanë një histori suksesi në pastrimin e qytetit.

“Shumë prej italianëve, por dhe të tjerëve që vijnë në Tiranë, shikojnë një qytet shumë herë më të pastër dhe nuk e besojnë që janë dy ente publike, në Tiranë dhe në Veronë, që bëjnë një punë me shumë cilësi të lartë. Duam që kjo të vazhdojë”, vijoi ai.

Një takim i rëndësishëm i kryetarit Veliaj ishte edhe ai me Luca Zaia, Presidentin e Rajonit të Venetos, një prej zonave më të zhvilluara të Italisë. Duke i cilësuar si të shkëlqyera marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë, Veliaj nënvizoi rëndësinë e rritjes së investimeve në fushën e bujqësisë dhe turizmit.

Ndërkaq, Luca Zaia, siguroi për një bashkëpunim të gjatë mes Tiranës dhe Venetos. “Më bëhet qejfi që takova kryebashkiakun e Tiranës dhe pashë dikë që do të punojë, ndaj ju uroj për këtë. Folëm për mundësinë për t’i bashkuar bashkë dy komunitetet tona në Veneto.

Komuniteti shqiptar zë vendin e dytë në Veneto, ata janë integruar, janë pjesë e jona dhe e sfidave tona. Kështu që, nuk ka se si mos të biem dakord për t’u siguruar që Tirana dhe Veneto të bashkëpunojnë”, deklaroi Zaia.

Gjatë vizitës në Itali, kryebashkiaku i Tiranës vizitoi edhe panairin “VinItaly”, i cili zhvillohet çdo vit në Fiera di Verona dhe është një vend i rëndësishëm takimi midis prodhuesve dhe blerësve.

Veliaj u shpreh se ky panair është një mundësi fantastike për të inkurajuar bizneset dhe sipërmarrjet shqiptare në zonat rurale për t’u përfshirë në prodhimin e verës.

“Patëm një privilegj të veçantë që gjatë panairit, i cili është panairi më i madh i verës, të takonim disa nga ata që bëjnë biznes në Shqipëri. Është e nevojshme të inkurajojmë edhe sipërmarrjet shqiptare që merren me vreshtari, se si mund të bëhen pjesë e këtij tregu”, u shpreh ai. /albeu.com/
Shtuar më 17/04/2018, ora 13:44
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori