Veliaj: Në shtator Tirana do shndërrohet në kryeqytetin e besimit
Një vit pas vizitës së Papa Françeskut, Shqipëria do të jetë sërish në qendër të vëmendjes së gjithë botës besimtare, si vendi i paqes dhe i vëllazërisë fetare.

Ajo është përzgjedhur si vendi mikpritës i takimit të 28-të Ndërkombëtar për Paqen, i cili do të mbahet në Tiranë në datat 6, 7 dhe 8 shtator 2015.

Ky aktivitet i rëndësishëm vjen në përkujtim të 20 vjetorit të përfundimit të Luftës së Fundit në Ballkan dhe organizohet nga Komuniteti Sant’Egidio, në bashkëpunim me Konferencën Ipeshkvnore të Shqipërisë, Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe Qeverinë shqiptare.

Gjatë konferencës së sotme për shtyp, ku u prezantua mbajtja e këtij aktiviteti të rëndësishëm, morën pjesë Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, Presidenti i Komunitetit Sant'Egidio, Marco Impagliazzo, Peshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Andon Merdani dhe Luçjan Avgustini, Ipeshkëv i Kishës Katolike të Shqipërisë, si edhe përfaqësues të katër besimeve fetare në Shqipëri, të cilët në fjalët e tyre përshëndetëse vlerësuan se ky aktivitet do jetë një rast i mirë për të përçuar edhe në botë shembullin shqiptar të harmonisë fetare.

Në fjalën e tij, ministri Veliaj u shpreh se gjatë këtyre tre ditëve Tirana do shndërrohet në kryeqytetin e botës së besimit. “Më vjen mirë që jemi pjekur si komb për t’ia transmetuar këtë realitet edhe atyre që sot në botë, janë duke vuajtur ndasitë nga më të vështirat që njerëzimi ka patur.

Ajo që po ndodh me ISIS apo në vende të tjera të botës, dëshmon në fakt se nuk janë dallimet fetare apo dallimet e besimit ato që shkaktojnë një konflikt, por janë diferencat midis një grupi njerëzish që vijnë nga fe më të ndryshme, por që besojnë tek paqja, tek virtyti, te respekti, te harmonia, dhe një grupi njerëzish që pavaresisht besimit, besojnë në një infrastrukturë dhe filozofi e dhunës për të imponuar një mendim a sistem të caktuar.

Ndaj besoj se edhe ajo që po ndodh sot në botë, konfirmon pikërisht këtë që misioni i Sant’ Egidios kërkon të dëshmojë: nuk janë dallimet mes besimeve, por janë dallimet midis një sistemi vlerash që pavarësisht besimit, respekton diferencën dhe promovon paqen dhe një sistemi antivlerash që mban peng një besim të caktuar dhe në emër të atij besimi, promovohet një kulturë dhune, e cila nuk ka asnjë lidhje me Zotin dhe besimin”, tha Veliaj.

Ai shtoi se ky takim do jetë një mundësi e mire për t’i dhënë Europës një arsye më shumë pse Shqipëria duhet të jetë një vend anëtar i Bashkimit Europian.

“Besoj se ky do jetë një argument shumë i fortë dhe që flet më shumë se çdo fjalë tjetër pse Shqipëria duhet të jetë pjesë e Europës”, theksoi Veliaj. Më tej ai shtoi se ky është një rast i mirë që Shqipëria të kthehet edhe në një model të ndryshëm turizmi, ku rreth 5 mijë të ftuarit në këtë aktivitet do kenë mundësi që të njihen me vlerat dhe kulturën shpirtërore të shqiptarëve, duke vizituar vende të ndryshme.

Duke prezantuar programin e këtij aktiviteti, ministri Veliaj theksoi se takimi do fillojë me një aktivitet të madh në Pallatin e Kongreseve në datën 6 shtator, ndërkohë që në datën 7 janë parashikuar të mbahen afro 12 aktivitete të ndryshme dhe në datën 8, do të mbahet ceremonia e mbylljes.

Ai informoi gjithashtu se në këtë takim pritet të marrin pjesë udhëheqës fetarë dhe personalitete të tjera botërore, ndërsa garantoi se Qeveria shqiptare do ta mbështesë këtë aktivitet me infrastrukturën e nevojshme të sigurisë. /albeu.com/
Shtuar më 24/02/2015, ora 17:48

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori