Tregu i punës ka nevojë për më shumë njerëz që dinë të bëjnë diçka me zanatet e tyre, prandaj arsimi profesional është zgjedhja më e mirë për fëmijët tuaj. Kështu deklaroi nga qyteti i
Beratit Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, gjatë vizitës së tij në dy shkollat e mesme
profesionale të
Beratit, "Stiliano Bandilli" dhe "Kristo
Isak", ku edhe ftoi të rinjtë që të
zgjedhin një formim profesional që garanton punë në të ardhmen.
"Ky është viti i parë që shkollat
profesionale janë nën administrimin e MMSR-së dhe jemi të lumtur që do të mirëpresim qindra e mijëra të rinj, të cilët me zgjuarsi dhe inteligjencë do të
zgjedhin të studiojnë në arsimin profesional. Të gjitha statistikat e INSTAT-it, e tregut të punës, e donatorëve të huaj, dëshmojnë se tregu ka nevojë për profesionistë, për njerëz që dinë të bëjnë gjëra me zanatet e tyre", u shpreh Veliaj.
Sipas tij, nevojën për më shumë njerëz teknicienë e tregon shumica e vendeve të lira të punës të afishuara në zyrat e punës, ku rezulton se zanatet më të kërkuara janë hoteleri-turizmi, ekonomi-financë dhe njerëz që kanë aftësi teknike. Ai ka ftuar të gjithë prindërit të reflektojnë dhe të mendojnë se në prag të vitit të ri shkollor, zgjedhja e një shkolle për fëmijët e tyre është një vendim me shumë rëndësi për jetën e tyre.
"Mund të
zgjedhin të harxhojnë para dhe vitet e jetës së fëmijëve të tyre në
shkolla që nuk kanë asnjë lloj perspektive, në arsim të përgjithshëm apo universitete që më vonë nuk do t’u ofrojnë një vend pune ose të lexojnë mirë këto statistika dhe këtë përgatitje serioze të shkollave
profesionale, si “Kristo
Isak” në Berat, për të mirëpritur nxënës që nesër do të fitojnë menjëherë para me zanatin dhe aftësitë që do të marrin nga
shkolla të tilla", vijoi ministri.
Në qarkun e
Beratit,
shkolla "Stiliano Bandilli" është një ndër katër shkollat
profesionale dhe e specifikuar me degë teknike.
Shkolla synon orientimin drejt tregut të punës dhe zhvillimin e mëtejshëm të praktikave
profesionale. Ndërsa,
shkolla "Kristo
Isak" ofron degë në drejtimet ekonomi-biznes, hoteleri-turizëm, agrobiznes dhe gjuhë të huaja. /albeu.com/
Shtuar më 24/08/2014,
ora 12:57