Veliaj: Në vitin e dytë fokusi do jetë tek shkollat dhe infrastruktura
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, deklaron se fokusi në vitin e dytë të mandatit të tij do të jenë shkollat dhe përmirësimi i infrastrukturës. Gjatë intervistës në emisionin “Top Story”, kryebashkiaku Veliaj tha se pjesë e projekteve të Bashkisë do të jetë edhe përfundimi i Bulevardit të ri të Tiranës.

"Në vitin e dytë të këtij mandati, fokusin më të madh ne do e kemi tek shkollat dhe infrastruktura. Duam që vitin tjetër të nisim dy terminale të autobusëve të cilët do ulin ndjeshëm trafikun.

Janë 12 mijë autobusë që funksionojnë çdo ditë në Tiranë. Ne duam po ashtu që pjesë e projekteve të mëdha si bulevardi i ri, lumi i Tiranës të zgjidhen njëherë e mirë.

Bulevardi i ri është në momentin e përfundimit, pra aty ku bulevardi takohet me lumin e Tiranës, është 90% e procesit, ka progresuar dhe them që çdo muaj ne do kemi disa risi në Tiranë", tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë deklaroi se falë investimeve do të përmirësohet edhe situata e parkingjeve në kryeqytet. Veliaj deklaroi se investimet do të prekin edhe ato zona që dikur nuk i përkisnin Bashkisë së Tiranës, por që me ndarjen e re territoriale, janë bërë pjesë e saj.

"Në fillim të vitit tjetër do të hapet edhe parkingu tek ish Stacioni i trenit dhe besoj që bashkë me parkingun e ri që do të bëjmë tek stadiumi “Qemal Stafa”, parkingu i vjetër i Bashkisë, ne do të kemi zgjidhur të paktën për pjesën qendrore të Tiranës këtë problem.

Ndërkohë duhet të pranojmë se sot nuk është më ajo që ishte. Ne sot filluam rrugën e Krrabës, po fillojmë rrugën e Zall Bastarit, Zall-Herrit, Çekrezës, Kasallës.

Janë emra apo zona që për shumicën e njerëzve në Tiranë nuk janë familjarë, por që sot janë qytetarë të Tiranës me të drejta të plota, falë faktit që ne sot kemi 24 njësi të shkrira në një me reformën e re territoriale. Ndaj na duhet të balancojmë edhe midis qendrës e periferisë në mënyrë konstante”, tha ai.

Veliaj dha dhe një lajm të mirë për të gjithë qytetarët e Tiranës. Falë një projekti të Bashkisë së Tiranës dhe të Bankës së Shqipërisë, pritet që një pjesë e godinës së ish hotel Dajtit të jetë në shërbim të aktiviteteve kulturore të kryeqytetit.

“Propozimi është që katet e sipërme të përdoren nga banka. Ndërkohë që katet e poshtme ku kanë qenë sallat e mëdha, ku ka qenë pjesa e ballos, do t’i kthehen publikut, krysisht qytetarëve të Tiranës për aktivitete, për promovim librash, për muzikë.

Kështu që ndërtesa do të ketë funksion të dyfishtë, midis përdorimit të Bankës dhe të qytetit. Më duket propozim shumë dinjitoz”, tha Veliaj.

Kryetari i Bashkisë deklaroi se do të ketë një zgjidhje edhe për Teatrin Kombëtar.

“Kemi një propozim që ta rindërtojmë Teatrin Kombëtar. Është krijuar si teatër për të argëtuar trupat italiane në Tiranë, që ka shumë histori, por që duhet të ndryshojë.

Sot në gjendjen aktuale që është, ku fut ujë, muret po bien, ka nevojë që të rrisë kapacitetin dhe modernizohet. Propozimi ynë është që të ndërtojmë një teatër të ri, me më shumë vende, me 500-600 vende”, tha Veliaj. /albeu.com/

Shtuar më 20/12/2016, ora 10:56

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori