EMRI/ Kultivoi mbi 4 mijë rrënjë kanabis, arrestohet në Mat 51-vjeçari i shumëkërkuar

Një person i shpallur në kërkim ka rënë në prangat e policisë në Mat.

Bëhet fjalë për 51-vjeçarin, Shpetim Lika, i dënuar me 8 vjet burgim, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.

Në vitin 2016, në fshatin Rremull, u gjetën 4020 bimë kanabisi të kultivuara nga ky shtetas dhe 3 tonë lëndë narkotike kanabis në proces tharjeje.

Ky shtetas është shpallur në kërkim në shtator të vitit 2016, në kuadër të një operacioni policor të zhvilluar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, për goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike.

Gjatë operacionit, në fshatin Rremull, njësia administrative Rukaj, shërbimet e Policisë gjetën të kultivuara në katër parcela, 4020 bimë cannabis sativa, ndërsa në afërsi të banesës së shtetasit Shpëtim Lika, në një përrua, u konstatua një hangar i ndërtuar me shtylla druri brenda të cilit kishte të varura, për t’u tharë, një sasi degësh të bimës cannabis sativa. Gjithashtu, 100 metra më lart, tek një banesë e pabanuar që administrohej nga shtetasi Shpëtim Lika u gjet një sasi tjetër degësh të bimës narkotike kanabis që ishin vendosur për t’u tharë, me peshë totale 3052 kg.

Nga hetimet ka rezultuar se autori i kultivimit dhe i prodhimit të lëndës narkotike kanabis, të gjetur dhe të sekuestruar gjatë operacionit, është shtetasi Shpëtim Lika.

Këtë shtetas, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Tiranë, e ka dënuar me 8 vjet burgim, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Mat, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 7.03.2023 09:51