Përgjigjet Veliaj: Dasmën në Gjirokastër e mbulova unë dhe mamaja ime
Pëlqej
Pas shumë zërave dhe akuzave të ardhura nga pala kundërshtare për dasmën, më në fund ministri Veliaj ka shuar të gjithë kureshtjen.

Gjatë një bisede në studion e News 24, ministri Veliaj ka deklaruar se nuk ka përdorur asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit për dasmën.

Ceremonia madhështore mori të gjithë vëmëndjen e medias, teksa u ndal tek të gjitha detajet dhe tek të ftuarit.

Gjatë intervistës, Veliaj sqaron se pasuria më e madhe janë miqtë e tyre dhe se së bashku me bashkëshorten gjetën një mënyrë për të respektuar qytetin e Gjirokastrës.

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj është shprehur se nuk ka shpenzuar asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit për organizimin e dasmës apo “Traku Fest” në Gjirokastër.

Ai ka deklarur se shpenzimet e dasmës në Pezë i mbuluan prindërit e Ajolës ndërsa në Gjirokastër i ka mbuluar ai vet dhe mamaja e tij.

“Në vitin 2010, qeveria e Sali Berishës ka botuar tarifat për aktivitetet që zhvillohen në Kala. Sipas këtij vendimi, nëse kalaja prenotohet për efekt reklamash, pagesa është 20 mijë lek ora; për efekt familjar është 10 mijë lek ora, kurse për aktivitet kulturor, 50 mijë lek ora. Kam këmbëngulur tek agjencia që organizoi dasmën që të zgjedh tarifën më të lartë, në mënyrë që administratës së Kalasë t’i ngelen më shumë para, sepse ka gjithmonë nevojë për investime”, tha ai.

Më tej ai shtoi se “pasuria më e madhe që unë dhe Ajola kemi janë miqtë tanë. Kështu, gjetëm një mënyrë për të respektuar qytetin e Gjirokastrës, nga i cili unë kam dalë deputet, duke qenë se edhe në fushatë kam premtuar se do ta promovoj atë qytet sa herë të kem mundësi”.

I pyetur për “Traku Fest”, Veliaj tha se për organizimin e tij nuk është shpenzuar asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit, por u organizua vullnetarisht ashtu siç gjatë këtij viti janë ngritur vullnetarisht 10 zyra të reja pune, siç është organizuar “Dita e Verës”, Festa në Pezë, e shumë aktivitete të tjera rinore.

“Sivjet ishte sezoni i dytë i festivalit të trashëgimisë kulturore, pasi e kemi filluar që vjet në korrik me “Koncert në gur”, kur unë nuk isha ministër dhe as e dija nëse do të bëhesha ministër. Pra, nisa ta mbaj fjalën duke bërë aktivitete që i sollën jetë qytetit.

Nëse doni të bëni një bilanc, mund të krahasojmë sa turistë shkojnë sot në Gjirokastër falë këtij promovimi konstant: kemi 420% herë më shumë turistë se vitin e kaluar”, deklaroi Veliaj.

Veliaj tha se detyra e shtetit nuk është vetëm të shpenzojë paratë e publikut.

“Detyra e shtetit është edhe të mobilizojë fuqi dhe burime të tjera. Asnjë qindarkë nga shteti nuk kemi shpenzuar për shumë projektet tona, si ngritja e Qendrës Tranzitore të Emergjencave ku janë strehuar familjet rome apo rikonstruksioni i Institutit të ish të Përndjekurve Politikë”.

Sipas ministrit, akuzat e PD janë të pabaza.

“Këta pyesin se si bëhen gjithë këto gjëra vullnetarisht? Sigurisht, sepse ata janë mësuar që edhe për të duartrokitur tenderonin 20 mijë lekshat nëpër mitingje. Por, ngaqë janë mësuar vetë t’i bëjnë këto poshtërsi, që përdornin çdo aset publik për interesat e tyre personale, u duket një habi e madhe si mundet një njeri të bëjë dasmë me verë vendi, me qifqi dhe japrakë”.

“Fakti që PD-ja nuk ka asgjë për të thënë për punën time dhe asnjë nga reformat që kemi ndërmarrë deri tani, unë e marr si kompliment: sepse kjo do të thotë se nuk kanë asnjë vërejtje për reformën në pensione, për arsimin profesional e shumë projekte të tjera. Por, ajo që s’kuptoj është: Kur PD të shkojë në zgjedhje, do kandidojë me “Geraldina Sposa” si agjenci dasmash, apo do të merret me alternativën e vet që ka për pensionet, punësimin etj? Sepse gjatë gjithë kësaj jave, po t’i dëgjoje, dukej sikur po garojnë për t’u kthyer në një agjenci dasmash”, u shpreh Veliaj. /albeu.com/
Shtuar më 16/09/2014, ora 15:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori