Po transportonte 5 emigrantë të paligjshëm, momenti kur arrestohet 33-vjeçari (VIDEO)

Një 33-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Sarandës, pasi u kap duke transportuar 5 emigrantë klandestinë. Policia bën me dije se bëhet fjalë për shtetasin Mirjan Doko.

I riu u kap duke transportuar me automjetin e tij “Benz”, emigrantët e paligjshëm, kundrejt fitimit.

NJOFTIMI I POLICISE
Vijojnë operacionet për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.

Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Pass”.

Transportonte 5 emigrantë të paligjshëm, vihet në pranga 33-vjeçari.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, në bashkëpunim me shërbimet e tjera të Komisariatit Sarandë, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, në bazë të informacioneve policore, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor “Pass”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi M. D., 33 vjeç, banues në Lushnje.
Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi, në vendin e quajtur “Ura e Çukës”, u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë duke transportuar me automjetin e tij “Benz”, 5 emigrantë të paligjshëm, kundrejt fitimit.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.