“Modeli Korça” i suksesshëm, konsumi i familjeve me rritjen më të shpejtë nga 2014-2021

Në vitin 2014 qarku i Korçës renditej i treti, pas Elbasanit dhe Vlorës me konsumin më të ulët mujor për familje.

Si një vend malor, me dimër të ashpër, në periferi qendrës së vendit dhe i palidhur me infrastrukturën strategjike, qytetarët e Korçës e kishin shumë më të vështirë të përmirësonin standardin ekonomik në krahasim me atë të Durrësit, Tiranës, Vlorës etj.

Por nga viti 2014 deri në vitin 2021, standardi ekonomik i rajonit është rritur me shpejtësi duke e renditur atë qarkun me nivelin më të lartë ekonomik pas Tiranës. Të dhënat e INSTAT që burojnë nga Anketa e Buxhetit të Familjes tregojnë se, një familje në Korçë shpenzoi mesatarisht 84,548 lekë në muaj në vitin 2021, duke u renditur direkt pas Tiranës me 99,416 lekë shpenzime mujore për familje.

Familjet në Korçë kishin rritjen më të madhe të shpenzimeve mujore në raport me 11 qarqet e tjetra, me 45 për qind nga viti 2014-2021. Faktor themelor mësohet se ka qenë turizmi dhe bujqësia. Ndoshta Korça është i vetmi Rajon në vend ku politikat vendore i kanë sjellë një zhvillim të vrullshëm qarkut.

Politikat lokale që nisën dy dekada më parë për të promovuar turizmin në Korçë ishin të suksesshme edhe për faktin se rajoni ka një traditë të pasur në kulinari, kulturë, natyrë etj, e ndihmuar edhe nga arkitektura e padëmtuar e qytetit. Korça është nga të vetmet qarqe në vend që ka turizëm gjithë vjetor dhe renditet nga qarqet e para për turizmin e brendshëm.

Vite më parë, Bashkia e Korçës vendosi t’i japë përparësi sektorit të turizmit, duke përmirësuar fillimisht infrastrukturën dhe më pas, duke marketuar zonën si një destinacion turistik. Sot, Korça ka rritjen më të qëndrueshme ekonomike dhe normën e papunësisë më të ulët në raport me qarqet e tjera.

Për të nxitur zhvillimin turizmin autoritetet vendore, pas investimeve në infrastrukturë krijuan një paketë eventesh dhe festash të mëdha, të cilat jo vetëm nxitën, traditat e spikatura të Korçës dhe produktet lokale, por edhe i reklamuan ato.

Festat bënë magneti i parë për vizitorët që mbushën hotelet jo vetëm të Korçës, por edhe të fshatrave e qyteteve fqinje në ditët e Festës së Birrës, Festivalit Ndërkombëtar të Karnavaleve apo Panairit të Fund vitit. Korça ka paketën më të pasur të eventeve me karakter kulturor në vend.

Në ditë festash si Krishtlindjet dhe Viti i Ri, Festa e Birrës në gusht apo panairet e vjeshtës, është e vështirë të bësh një rezervim në Korçë. Hotelet janë të rezervuara që një vit më parë. Si Korça, edhe qytete të tjera me traditë në kulinari, kulturë dhe histori si Shkodra, Berati apo Gjirokastra, kanë potenciale për zhvillimin e turizmit, por nuk kenë arritur të kenë shkëlqimin e qytetit juglindor./Monitor/