Veliaj dhe punonjësit e Bashkisë dhurojnë gjak
Pëlqej
Pak ditë pas takimit të “Aleancës për Dhurimin e Gjakut”, Bashkia e Tiranës i përgjigjet thirrjes së Presidentit të Republikës, Ilir Meta, duke dhuruar gjak për të gjithë ata që kanë nevojë për të. Pranë Bashkisë së Tiranës është ngritur një stacion i dhurimit të gjakut, ku të parët që dhanë kontributin e tyre ishin punonjësit e saj. Nismës iu bashkua edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili pasi dhuroi gjak, ftoi gjithë qytetarët e shëndetshëm të Tiranës që të kontribuojnë për t’i ardhur në ndihmë personave që kanë probleme shëndetësore dhe nevojë për gjak.

“Jam shumë i lumtur që i përgjigjemi thirrjes së Presidentit të Republikës për Aleancën e Dhurimit të Gjakut. Tirana është gjithmonë e para, do jetë e para edhe në këtë nismë. Na duhet që 2% e popullsisë së Tiranës, pra 20 mijë vetë, të dhurojnë gjak. Është e nevojshme për fëmijët talasemikë, për ata që kryejnë operacione, që fatkeqësisht mund të kenë pësuar një aksident në trafikun e verës dhe pasja e një banke gjaku për qytetin e Tiranës, ku ndodhin edhe shumica e këtyre operacioneve, është jetike”, tha ai.

Kryebashkiaku nënvizoi se përveç qendrës së hapur pranë Bashkisë së Tiranës, së shpejti do të funksionojnë pika të ngjashme edhe në zona të tjera të qytetit, për të ndërgjegjësuar, së pari, qytetarët, por edhe për t’i krijuar atyre lehtësira që ta bëjnë këtë në kushte sa më të favorshme. “Dua shumë që brenda verës të plotësojmë nevojat e Tiranës dhe siç kemi filluar sot përpara bashkisë, do të vijojmë më pas në disa pika kryesore në qytet, ku organizata, shoqata, grupe komunitare, forume rinore, politike, të kenë mundësi të adoptojnë një prej këtyre tendave dhe të ketë mundësi të gjenerojë aksionin e vet për dhurimin e gjakut”, theksoi Veliaj.

Ai shtoi se Tirana, ashtu si në çdo rast emergjence, edhe kësaj here do të ngrihet në nivelin e duhur për të qenë solidare në këtë nismë vërtetë humane. “Nëse në këtë qytet pati solidaritet për të dhuruar 126 mijë pemë, duhet të ketë solidaritet edhe për të dhuruar 20 mijë vetë nga një qeskë të vogël gjaku, e cila në fund të ditës edhe ty të ndihmon, sepse trupi prodhon rruaza të reja dhe rekomandohet që 2-3 herë në vit të jepet gjak, qoftë edhe për të siguruar shëndetin”, tha kryebashkiaku i Tiranës.

Veliaj shprehu mirënjohjen e tij për ata që u bënë nismëtarë të kësaj nisme, ndërsa ftoi edhe bashkitë e tjera që t’i bashkohen fushatës dhe të hapin zyrat e tyre për të pritur qytetarët që duan të dhurojnë gjak.

“Dua të falenderoj të gjithë ata që u bënë nismëtarë, duke filluar nga Presidenti i Republikës, tek organizatat e agjencitë që janë bërë pjesë e kësaj nisme, por mbi të gjitha është shumë e rëndësishme që të ftojmë bashkitë e tjera. Vërtet që Tirana e fillon sot, por do doja shumë që i gjithë rrjeti i bashkive të Shqipërisë të caktojë një hapësirë ku rekrutohen dhuruesit e gjakut dhe pastaj, siç Bashkia e Tiranës në mjedise të freskëta, brenda, me lëngje dhe me gjithë shërbimin pas dhurimit të gjakut, të ofrojnë lehtësi të tilla për të gjithë ata që duan të dhurojnë”, shtoi Veliaj.

Pak ditë më parë, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, zhvilloi takimin e parë të Aleancës për Dhurimin e Gjakut, duke bërë thirrje për nisjen e një fushate që do të ndihmojë të gjithë njerëzit që në një moment të caktuar të jetës së tyre kanë nevojë për gjak. /albeu.com/
Shtuar më 21/07/2018, ora 13:52
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori