I marrin çelësin e banesës të zotit dhe i vjedhin paratë, policia në kërkim të grabitësve në Dimal

Mbrëmjen e djeshme një grabitje ka ndodhur në banesën e një 64-vjeçari në fshatin Goriçan, Dimal.

Policia bën me dije se persona të paidentifikuar kanë siguruar çelësin e banesës së të zotëve dhe kanë hyrë brenda duke vjedhur 150 mijë lekë të rinj si dhe celularë.

Pas vjedhjes, ata janë larguar, ndërsa policia ka nisur punën për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Njoftimi i policisë:

Gjatë natës, në fshatin Goriçan, Dimal, dyshohet se shtetas ende të paidentifikuar, të cilët kishin siguruar çelësin e derës së banesës së shtetasit P. Xh., 64 vjeç, kanë hyrë në këtë banesë, duke hapur derën me çelës, dhe kanë marrë rreth 150 000 lekë të rinj, telefonat e të zotëve të banesës dhe janë larguar.

Menjëherë pas njoftimit për këtë rast, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendin e ngjarjes. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon intensivisht për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve. Vijojnë kontrollet në terren dhe në ambiente të ndryshme, me qëllim kapjen e autorëve dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë penale./albeu.com