Vdekja e Tanit të Top-it, zbulohet atentati
Pëlqej
Albeu.com
Abonohu për lajmet me e-mail:
E-maili juaj:      Tani, kontrolloni e-mailin tuaj dhe konfirmoni abonimin!
nga Anila PriftiFerrari i kuq me të cilin po udhëtonte Presidenti i Top Media, Dritan Hoxha dhe mikja e tij Entela Hysko, ka fluturuar disa metra në lartësi, para se të përplasej me pemën...Ferrari i kuq me të cilin po udhëtonte Presidenti i Top Media, Dritan Hoxha dhe mikja e tij Entela Hysko, të cilët vdiqën tragjikisht dje herët në mëngjes, ka fluturuar disa metra në lartësi, para se të përplasej me pemën në anë të Lanës në Bulevardin “Bajram Curri”,Tiranë. Dy dëshmitarë treguan në polici skenën makabër të aksidentit, ku u vranë dy personat, nga momenti kur makina humbi ekuilibrin.

Në vendin e ngjarjes, pesë minuta më pas, përveç ekspertëve të policisë shqiptare kanë qenë prezentë dhe ekspertë amerikanë. Ata fotografuan dhe kryen veprime kqyrëse të vendit të ngjarjes, për t’u larguar para ekspertëve të policisë së Tiranës. Një zyrtar i kësaj policie njoftoi mbrëmë, duke thënë se, ngjarja, pavarësisht nga konkluzionet paraprake, po hetohet edhe në drejtime të tjera, që kanë të bëjnë me pronarin e Top Media.

Burime të besueshme nga shërbime policore të posaçme, thanë për “Agon” se, jo shumë kohë më parë është regjistruar një informacion dyshues, i cili është klasifikuar “sekret”. Ai bënte fjalë për përgatitjen e një atentati ndaj Dritan Hoxhës, 40 vjeçarit, baba i katër fëmijëve. Po hetohet nëse ky informacion ka lidhje me aksidentin e djeshëm, i cili ndodhi pasi viktima kishte frekuentuar disa lokale në ish-Bllok, deri pak çaste para momentit tragjik. Policia nuk ka njoftuar nëse Dritan Hoxha kishte konsumuar alkool apo substancë narkotike. Ajo njoftoi se aksidenti mendohet të ketë ndodhur për shkak të shpejtësisë, por pa përmendur detajet se nga erdhi “nxitimi”. Hoxha është pronari i dytë i Top Media që mbeti i vdekur. Rreth tre vjet më parë Vajdin Lame, bashkëpronarë me Hoxhën, u hodh në erë brenda në ashensorin, që po ngjitej për në banesën e tij



Vdekja rrugës për në spital

Makina Ferrari, ngjyrë e kuqe, me targa DK 3892 H, që doli nga rruga dhe pasi përshkoi një hapësirë të plotë 82 metra, është përplasur me pemën 3.1 metra, në lulishten e lumit të Lanës, njoftoi policia e Tiranës. Për shkak të përplasjes së fortë makina u nda në dy pjesë dhe u shkatërrua tërësisht. Aksidenti tragjik ndodhi disa minuta, pasi miq të tij e këshilluan viktimën të mos i jepte makinës, thanë raportet e policisë, duke pyetur një shokun e Hoxhës. Presidenti i Top Media vdiq rrugës për në spital, kurse Entela Hysko, 27 vjeçe, vdiq në vend dhe policia e gjeti trupin e saj të coptuar. Në një komunikatë zyrtare dërguar mbrëmë mediave, policia njoftoi se grupi i posaçëm hetimor i ngritur për ngjarjen e rëndë aksidentale, përpiloi me detaje të gjitha vendimet, si : vendimi mjeko ligjor, vendim toksikologjiko ligjor, vendim auto teknik, si dhe vendim biologjik i viktimave.



Konkluzionet e para, shkak shpejtësia

Paraprakisht, ekspertë të grupit hetimor mendojnë se shkaktar i ndodhjes së kësaj fatkeqësie është; hapësira e madhe e zhvillimit të aksidentit, e cila kap distancën 97.5 metra, ku nga kqyrja e vendit të ngjarjes, dëmtimeve të tij, si dhe treguesi i kilometrazhit të automjetit në manometrin e shpejtësisë është fiksuar shpejtësia prej 170 km / në orë. Ekspertët në vendngjarje, sqarojnë se, drejtuesi i automjetit tip - Ferrari, duke ecur me shpejtësi tej normave të lejuara, në kushtet atmosferike me lagështirë, ka humbur menjëherë kontrollin e drejtimit të mjetit, duke dalë nga karexhata e Bulevardit “Bajram Curri”, në Tiranë. Fillimisht, makina është përplasur me trotuarin e krahut të majtë të Bulevardit, dy shtylla dekorative ndriçuese, e, më pas, ka humbur totalisht kontrollin e lëvizjes së mjetit, duke u përplasur me një pemë dekorative, rrap, me perimetrin e trungut 3.1 metër. Ekspertët thonë se kjo goditje ka qenë fatale për jetën e të dy personave të ndodhur në mjet.



Kush ishte Dritan Hoxha?

Presidenti i Top Channel dhe Top Albania Radio, Dritan Hoxha, i cili humbi jetën në mëngjesin e djeshëm, njihej si një biznesmen i njohur në fushën e medias dhe fusha të tjera, të nisura pas viteve 1990. Ai është baba i katër fëmijëve; tre vajzave dhe djalit 1 vjeç. Familja e tij banonte prej kohësh në Itali. Aktiviteti i Hoxhës në fushën e medias ka nisur në shkurt të vitit 1998, kur lindi Top Albania Radio, e cila u pasua më pas në vitin 2001 me televizionin Top Channel; në vitin 2005 u hap kompania “Dixhitalb” dhe më pas, në vitin 2006 “Gazeta “Shqip”.

Dritan Hoxha do të kujtohet edhe për deklaratën e rëndë ndaj kryeministrit, Sali Berisha. Midis të tjerash, ai i tha publikisht kryeministrit: “Berisha i sotëm është po ai Berishë i 1997-ës, që bënte thirrje se do ia ngrinte buzëqeshjet në buzë kujtdo që mendonte ndryshe nga ai, i majtë apo i djathtë; është po ky Berishë që i bënte thirrje shqiptarëve të mos votonin për Rambujenë; është po ky Berishë që i futi në luftë shqiptarët me shqiptarët; po ai Berishë që kërkon të ngatërrojë të vdekurit me të gjallët...Pas dhjetra letrave kërcënuese që na kanë ardhur në Top Channel dhe mua personalisht, të cilat ne nuk i kemi publikuar vetëm e vetëm për të mos ndikuar në fushatë e për të ruajtur pavarësinë, fatkeqësisht të njëjtin mesazh, me zë, na i dërgon korrieri i humbjes, vetë Zoti Sali Berisha”. (Gazeta Agon)
Shtuar më 26/05/2008, ora 04:35
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori
 
Taulant dhe Granit Xhaka janë dy vëllezërit që përballen në skuadra të ndryshme për herë tëparë në një Kampionat Evropian

Taulant dhe Granit Xhaka janë dy vëllezërit që përballen në skuadra të ndryshme për herë tëparë në një Kampionat Evropian