Vdekja e prokurorit të dosjeve të “nxehta” , ja dyshimet e familjes
Ndarja nga jeta në 5 janar 2012 të Prokurorit të Krimeve të Rënda, Xhevat Hana u shoqërua me një pikëpyetje të madhe, kjo pasi familjarët e tij ngritën menjëherë dyshimin se vdekja e të afërmit të tyre mund të kishte ndodhur si pasojë e një helmimi të mundshëm dhe jo për shkak të një sëmundjeje të pashërueshme siç është raportuar zyrtarisht.

Pikërisht në përvjetorin e 5-të të ndarjes së tij nga jeta, familjarët e Xhevat Hanës, në një prononcim ekskluziv për “BalkanWeb” kërkojnë nga shteti shqiptar të zbardhë të vërtetën e vdekjes së tij.

“Lutemi të vihet drejtësia në vend. Pesë vite më parë u nda nga jeta padrejtësisht vëllai ynë Xhevat Hana, njeriu që gjithë jetën e vet ia përkushtoi drejtësisë dhe po për drejtësinë i morën jetën. Shpresojmë që një ditë drejtësia të vihet në vend”, – janë shprehur familjaret.

Pikërisht lutja drejtuar shtetit për vënien në vend të drejtësisë dhe fakti që familja ende beson se Xhevat Hana është ndarë padrejtësisht nga jeta nënkupton se të afërmit e tij vijojnë të besojnë versionin se vdekja e Prokurorit të Krimeve të Rënda nuk mund të ketë ardhur si pasojë e një sëmundjeje të pashërueshme.
Djali i tij ishte i pari që shprehu dyshimin publikisht se Xhevat Hana mund të ishte vrarë. Rezarti, i cili në një prononcim për mediat vetëm 3 orë përpara vdekjes së babait, hodhi dyshimet e para të familjes, se mos babait i është injektuar sëmundja e rëndë nga faktorë të jashtëm për hir të procesit që po ndiqte, atë ndaj ish-funksionarëve të SHIK-ut, të akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit shqiptaromaqedonas, Remzi Hoxha.

Por në një tjetër prononcim për mediat edhe daja i tij, Ahmet Çollaku, pretendoi rreth një vit më parë se “nipi im u helmua nga mafia shqiptare. Nipi im kishte në sirtare disa procese gjyqësore që detyrimisht do të kërkonin përplasje me shumë qeveritarë shqiptarë, apo edhe më tej. Sigurisht ata do të bënin (dhe bënë), ç’është e mundur të mos e kishin përballë. Prandaj e helmuan… Nuk dihet me çfarë diagnoze vdiq nipi im!

Demokracia shqiptare, mafia shqiptare, nuk të vret me plumb por me helm”, – do të shprehej ai. Para se të transferohej nga Prokuroria e përgjithshme në fund të vitit 2007, i ndjeri Hana ishte përfaqësuesi i akuzës shqiptare për dosjen korruptive të rrugës Durrës-Kukës.

Gjithashtu Hana ishte edhe prokurori i dosjes tjetër, atë të rrëmbimit, torturimit dhe zhdukjes pa gjurmë të Remzi Hoxhës, çështje që ka implikuar direkt Shërbimin sekret të viteve ‘90, të drejtuar nga Bashkim Gazidede.

Madje ishte pikërisht Hana që kërkoi ekstradimin e Ilir Kumbaros nga Anglia. Xhevat Hana ishte një nga prokurorët më të njohur të Shqipërisë, me një karrierë të gjatë në drejtësi, për disa kohë dhe si këshilltar i presidentit Alfred Moisiu. Gjatë vitit 2011 ai qëndroi i shtruar për një kohë të gjatë në një spital publik të Tiranës, por familjarët u detyruan ta transportonin në Itali për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, ku edhe ndërroi jetë në 5 janar 2012. /Albeu.com/
Shtuar më 05/01/2017, ora 18:40

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori