Denoncimi i familjarëve: Vajzën tonë e kanë vrarë
Prindërit e 20-vjeçares Hamide Biçaku e cila ndërroi jetë disa ditë më parë denoncojnë në Prokurorinë e Rrethit Kavajë dhëndrin e tyre, ndërsa kanë kërkuar hetim mbi rrethanat dhe arsyet e vdekjes së saj. Në një intervistë për "Gazetën Shqiptare", Artan Biçaku, vëllai i Hamides, akuzon bashkëshortin e saj dhe vjehrrin për vdekjen e motrës.


"Motra ime Hamidja ndërroi jetë në 31 gusht, në spitalin "Nënë Tereza", rreth orës 22 e 30. Ishte shtruar në spital që në datën 30, por neve nuk na lajmëruan. Ditën e vdekjes, na mori në telefon, rreth orës 5 pasdite, një mjek i Urgjencës së Tiranës dhe na tha që motra është në grahmat e fundit. Nga ora 8 e 30 e darkës mbërritëm në Tiranë. Nuk zgjati më shumë se 2 orë dhe ajo vdiq. E morëm ne, familja e prindërve, dhe në fshat iu bë varrimi" shprehet Biçaku

Lidhur me nisjen e konfliktet midis familjes se tij dhe burrit të Hamides ai shpjegon se sebep ishte bërë e fejuara e tij.

"Sebepi ishte e fejuara ime. E fejuara ime kishte një lidhje prej një viti, me burrin e time motre, G.. Kur i kapa vetë mat në një hotel, e ndava të fejuarën. Motra e mori vesh nga njerëz të tjerë. Po më pas, çfarë ndodhi? Motra u nda për disa javë nga bashkëshorti. Erdhi në Librazhd ndërsa vajzën e mbajti familja e burrit. Por erdhi i shoqi G. dhe iu lut që të kthehej, se e kërkonte edhe vajza e vogël. U kthye sërish tek familja e burrit. Nga ajo çfarë kam marrë vesh, ajo është keqtrajtuar atje, e kanë lënë të flerë edhe në kasollen e bagëtive. Por megjithëse flisnim shpesh në telefon, ajo nuk u ankua asnjëherë. Ne sot (dje) kemi bërë një denoncim në Prokurorinë e Kavajës. Duam të zbardhet e vërteta, si u helmua motra jonë. U vetëhelmua apo e helmuan, ku e gjeti ajo fostoksinën? Unë këtë kërkoj nga drejtësia, të zbardhë të vërtetën, sepse, gjithçka nis që kur motra u dërgua në spital dhe ne nuk u lajmëruam. Nëse nuk e zbardh prokuroria, mua si vëlla më mbetet të bëj vetëgjyqësi." perfundoi ai. /albeu.com/
Shtuar më 06/09/2013, ora 10:57
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori