Vazhdon seanca e Parlamentit te Maqedonise, replika per Kosoven
Albeu.com
Derisa po vazhdon debati për rezolutën për njohjen e Kosovës, Qeveria është në gatishmëri që në çdo kohë të miratojë vendimin për njohjen e Kosovës.Kryetari i Partisë së Re Social Demokrate (PRSD), Tito Petkovski tha se Maqedonia duhet të udhëheq politikë të balancuar sa i përket çështjeve në rajon.

Ai tha se nuk është kundër njohjes së Kosovës, sepse më parë kishte deklaruar se duhet të njihet ky shtet fqinj, por sipas tij, mënyra e tillë nuk është e pranueshm,e që bëhet nga kryeministri Gruevski dhe maxhoranca.

“Ne duhet të bëjmë politikë të balancuar duke mos shkelur ndjenjat e asnjë pale, në këtë rast Kosovës dhe Serbisë. Ne me Kosovën duhet të kemi marrëdhënie shumë të mira, dhe më parë kam qenë për njohjen e Kosovës, sepse është vendi që ka marrëdhënie shumë të mira tregtare dhe miqësi të mirë. Por nga ana tjetër kemi raporte dhe marrëdhënie të mira edhe me Serbinë, edhe përkundër embargos së këtij vendi pas shpalljes së pavarësisë”, deklaroi Petkovski.

Sipas tij, në këtë seancë parlamentare duhet të jenë të pranishëm edhe kryeministri Nikolla Gruevski dhe shefi i diplomacisë Antonio Milloshoski për të sqaruar pozicionet dhe interesat shtetërore lidhur me këtë çështje. Ai tërhoqi vërejtjen se cilat janë garancat se pas këtij vendimi do të ruhen interesat shtetërore të Maqedonisë.


15:29 - Derisa po vazhdon debati për rezolutën për njohjen e Kosovës, Qeveria është në gatishmëri që në çdo kohë të miratojë vendimin për njohjen e Kosovës.

Lajmi i bëhet i ditur për agjencinë e lajmeve INA nga burime të larta qeveritare. “Në momentin që Parlamenti të miratojë projekt-rezolutën për Kosovën, kabineti qeveritar në çdo moment është gati për të miratuar vendimin për njohjen e shtetit fqinj”, deklaroi për INA, një zyrtar i lartë i Qeverisë, duke thënë se në çdo kohë do të miratohet ky vendim nga qeveria.

Gjatë debatit në vazhdim, akuza dhe kritika ndaj qeverisë kanë shprehur shefi i grupit parlamentar të LSDM-së, Jani Makraduli, deputeti Emilian Stankoviç dhe deputeti i Partisë Demokrate Serbe, Ivan Stoilkoviç, i cili i takon maxhorancës por që ka shprehur kritika të ashpëra ndaj kryeministrit Nikolla Gruevski dhe partisë më të madhe VMRO-DPMNE.

3:14 - Debati parlamentar për rezolutën për Kosovën po vazhdon pas një pushimi një orësh të kërkuar nga kryeparlamentari Veljanovski. Në vazhdim do të pasojnë edhe fjalimet e deputetëve të tjerë.

Deputeti i LSDM-së, Vllado Buçkovski dhe kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi gjatë debatit për rezolutën për Kosovën kanë shfaqur kritika të ndërsjellta lidhur me këtë çështje.

“Para nesh gjendet një proozim rezolutë e cila për fat të keq është e vonuar. Para nesh gjendet një projekt-rezolutë e cila nuk duhej që të gjendet para Parlamentit të Republikës së Maqedonisë. Para nesh është një propozim rezolutë e cila e pasqyron realitetin se si funksionon qeveria jonë. Qeveria jonë zgjodhi që për njohjen e Kosovës të fshihet pas deputetëve, qeveria jonë zgjodhi që për kompromisin me Greqinë të fshihet pas populit. Tani hapur pyes, meqë kjo rezolutë pa nënshkrimet e BDI-së është në procedurë parlamentare gati një muaj, prej çka u frikësua qeveria apo nga çka u frikësua BDI-ja nga traktori që ç`vendosi gurin kufitar, apo u frikësua nga Serbia. Sepse sikur Maqedonia dëshironte diçka të demonstrojë se ka mësuar se çka është shkathtësia në politikë, sot nuk duheshte të debatojmë për këtë proozim rezolutë. Duheshte, në rast se njohim Kosovën, ta njihnim bashkë me fqinjët tjerë të Serbisë, para së gjithash me Bullgarin dhe Kroacin, apo në rast se këtë e bëjmë të jemi burra deri në fund dhe këtë ta bënim dje para vendimit ta Asambles Parlamentare të OKB-së”, deklaroi në fjalimin e tij deputeti dhe ish-kryetari i LSDM-së, Vllado Buçkovski.

Në replikën e tij, kryetari dhe deputeti i PDSH-së, Menduh Thaçi theksoi se qasja e deputetit Buçkovski është tejet negative.

“Nuk dola për diçka tjetër por qasja e diskutimit të cilin e kishte zoti Buckovski, mendoj se është negative, në aspektin e parë sepse tentohet që të desatbilizohen marrëdhëniet ndëretnike brenda në Maqeoni mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Mendoj se nënthekset janë shumë të rezikshme. Nëse njohja e Kosovës në këtë moment nga ana e Maqedonisë kushtëzohet më çështjen shqiptare, atëherë do të duhet detyrimisht zotit Buckovski ti sqarojmë disa pozicione, mos ti ngatrojmë. Shqiptarët e Maqedonisë, Kosovës dhe të Shqipëris në asnjë moment në asnjë vend nuk kanë kontestuar asgjë të Maqedonisë. As emrin, as identitetin as kishën, sa u përket të tjerëve i bëjnë dhe vazhdojnë ti bëjnë këto kontestime”, theksoi Thaçi.

Sipas tij, është problem i lidershipit maqedonas që nuk kupton se SHBA-të, NATO dhe BE të njëjtën përkrahje ja japin edhe Maqedonisë.

“Me të njëjtë masë dhe metodë e mbështesin edhe Maqeodninë. Sa i përket kushtëzimit tjetër që Kosova ta pranoj Maqedoninë me emrin kushtetutes nuk kam dëgjuar ende një deklaratë publike ku kontestohet emri kushtetues i Maqedonisë”, theksoi kryetari i PDSH-së. Ai tha se “kjo rezolutë, hiç për ne nuk është me rëndësi për PDSH-në, a është e shumicës parlamentare apo është e PDSH-së, këto janë cikrima të cilat ne i tejkalojmë”.


14:20 - Deputetët e Parlamentit të Maqedonisë me 85 vota për dhe 15 kundër vendosen në rend dite projekt-rezolutën për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Me shumicë votash gjithashtu është hedhur poshtë propozimi i partive opozitare maqedonase që të ndërpritet seanca dhe projekt-rezoluta të futet për debat në nivel të komisioneve parlamentare që më pas të arrijë në debatin parlamentar. Poashtu nuk është pranuar edhe kërkesa që të jepet mendimi i Qeverisë para miratimit të kësaj projekt-rezolute. LSDM ka tërhequr dy amendamente që i kishte propozuar më parë për të qenë pjesë e kësaj rezolute.

Në seancën parlamentare po zhvillohet debati, ku deputetët kanë filluar fjalimet e tyre lidhur me këtë çështje. Shefi i grupit parlamentar të BDI-së, Tahir Hani si propozues i projekt-rezolutës arsyetoi aktin e ndërmarrë dhe nevojën që sa më shpejtë Maqedonia si vend fqinj të njohë pavarësinë e Kosovës dhe thellimin e bashkëpunimit të ndërsjelltë midis dy vendeve.

Në kuadër të debatit për fjalime janë paraqitur rreth 40 deputetë prej të cilëve edhe deputetët shqiptarë: Arbër Xhaferi, Menduh Thaçi, Imer Selmani, Tahir Hani dhe Sulejman Rushiti.

Sekretari i përgjithshëm i LSDM-së Igor Ivanovski tha se pret të njihet me qëndrimin e partisë VMRO-DPMNE lidhur me rezolutën për Kosovën. Ai tha se ky parlament nuk guxon të sjellë vendime prokosovare apo proserbe, por vetëm vendime promaqedonase. Sipas tij, Parlamenti me vite nuk ka trajtuar çështjen e emrit, kërkesë e bërë disa herë.

13:00 - Seanca parlamentare për rezolutën për njohjen e Kosovës është ndërprerë për gjysëm ore me kërkesë të grupit parlamentar të partive opozitare maqedonase.

Siç bëhet e ditur, opozita maqedonase ka hartuar një propozim me amendamente, ku kërkohet që pavarësia e Kosovës të pranohet pas përfundimit të procesit teknik të demarkacionit të kufirit verior me kosovën dhe pas marrjes së garancive nga Prishtina për njohjen e Maqedonisë me emrin e kushtetues dhe në marrëdhëniet dypalëshe e ndërkombëtare. Ky propozim është nënshkruar nga deputetët e LSDM-së opozitare.

Deputetja e LSDM-së, Cvetanka Ivanova kërkoi gjysëm ore pushim për konsultime duke kërkuar gjithashtu që kryeministri dhe ministrat e kabinetit qeveritar të jenë të pranishëm në seancë.

Sipas saj, kryetari i Parlamentit, Trajko Veljanovski ka shkelur procedurën duke thirrur këtë seancë urgjente, ndërsa në anën tjetër ka mohuar që në të njejtën procedurë të sjellë në rend dite një rezolutë të opozitës për të diskutuar për çështjen e emrit.

Projekt-rezoluta është nënshkruar nga deputetët e BDI-së, PDSH dhe Demokracisë së Re.

Në tekstin e rezolutës tre pikëshe theksohet: 1.I rekomandojmë Qeverisë së Maqedonisë që në kuadër të kushtetutës dhe interesave nacionale të vendit, ti ndërmerrë aktivitetet e nevojshme për ngritjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën dhe pranimin e pavarësisë së saj.

2.Të vazhdojë me zhvillimin e bashkëpunimit me Republikën e Kosovës si deri më tani në të gjitha fushat në interes të ndërsjelltë me qëllim të lëvizjes së lirë të qytetarëve, kapitalit dhe ideve

3. Të afirmojë përcaktimin e Qeverisë së Maqedonisë me zhvillimin e marrëdhënieve me vendet fqinje deri në aderim të plotë në BE dhe NATO.

12:15-Parlamenti i Maqedonisë filloi seancën për Rezolutën e propozuar nga partitë shqiptare për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Në seancë janë të pranishëm të gjithë deputetët e partive shqiptare, BDI, PDSH dhe DR. Deputetët e opozitës të Lidhjes Social Demokrate (LSDM) dhe PRSD-së shprehën reagime lidhur me thirrjen urgjente të kësaj seancë, duke theksuar se bëhet fjalë për shkelje të procedurave. Opozita kërkoi që në këtë seancë të jenë të pranishëm edhe kryeministri Nikolla Gruevski dhe ministrat e kabinetit qeveritar.

Shefi i grupit parlamentar të BDI-së, Tahir Hani mbrëmë i dorëzoi Parlamentit, rezolutën për njohjen e pavarësisë së Kosovës, e cila është nënshkruar edhe nga deputetët e PDSH-së, kryetari saj Menduh Thaçi dhe sekretari i përgjithshëm Imer Aliu, në cilësinë e deputetëve.

Seanca urgjente për të shqyrtuar këtë rezolutë është caktuar në ora 11.00, ndërsa pritet pjesëmarrja e të gjitha partive politike parlamentare, por burime pranë koalicionit qeveritar bëjnë të ditur se rezoluta pritet të marrë dritë jeshile dhe pasdite Qeveria e Maqedonisë të shpallë njohjen e Kosovës.

Partia më e madhe e maxhorancës VMRO-DPMNE mbrëmë ka zhvilluar takim të përbashkët me deputetët e pakicave, përfshirë edhe ato serb, për të sqaruar rezolutën për njohjen e Kosovës dhe proceset që i paraprijnë Maqedonisë që kanë të bëjnë edhe me këtë çështje.

Rezoluta për Kosovën vjen një ditë pasi që sekretari amerikan i mbrojtjes, Robert Gates qëndroi në Maqedoni dhe i bëri thirrje autoriteteve të këtij vendi për nevojën e njohjes së shtetit të ri fqinj. (S.S/INA)
Shtuar më 09/10/2008, ora 21:13
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori