Vazhdon moti i keq, rrugë dhe zona të bllokuara
Vijon situata e rënduar nga moti i keq në shumë pjesë dhe rajone të vendit tonë. Reshjet e dëborës kanë vijuar gjatë mbrëmjes kryesisht në veri të vendit. Raportohet se me dhjetra rrugë kanë bllokuar një sërë aksesh nacionale gjithashtu edhe rrugët komunale në veri të vendit.


Situata është rënduar edhe më tej në qarkun e Kukësit ku si pasojë e reshjeve të dendura që kanë rënë përgjatë gjithë natës trashësia e dëborës është rritur edhe me 30 centimetra. Sipas banorëve një kërcënim për ta mbetet shembja e çative të shtëpive si pasojë e dëborës së madhe.


Banorët nga zonat e thella apelojnë për hapje të rrugëve pasi u kanë mbaruar furnizimet me ushqime dhe ilaçe. Një familje në fshatin Luzni të Dibrës bën apel për ndihmë mjekësore për foshnjen e tyre 8 muajshe e cila prej 3 ditësh ka temperaturë dhe duhet të transportohet drejt spitalit për të marrë ndihmë mjekësore.

Ndërkohë sipas informacioneve më të fundit trashësia e dëborës në zonat e thella të Bulqizës dhe Peshkopisë dëbora ka arritur deri në 3 metra ndërsa brenda në qytet dëbora arrin deri në 1.20 metra. Mësohet se borëpastrueset janë duke pastruar rrugët nacionale por reshjet e dëborës të cilat po vijojnë ende po e vështirëson zhbllokimin e rrugëve.


qarkun e Kukësit asnjë rrugë nuk është hapur ndërsa 12 komunat vazhdojnë të jenë të bllokuara. Gjithashtu mësohet se vijon ndërprerja e procesit mësimor edhe këtë javë në gjithë qarkun e Kukësit për shkak të dëborës së madhe. Sipas informacioneve aksi Kalimash-Morinë funksionin me një korsi dhe është i kalueshëm vetëm me zinxhirë.

Gjithashtu vijojnë të jenë të bllokuara disa rrugë dhe komuna në qarkun e Korçës. Sipas informacioneve më të fundit vazhdon të jetë i bllokuar aksi Korçë-Dardhë dhe komunat Lekas, Lozhan,Velçan dhe Çlirim ndërsa në akset rrugore Korçë-Voskopojë, Korçë-Liqenas, Korçë-Ersekë-Leskovik qarkullimi i automjeteve bëhet me zinxhirë. Gjithashtu mësohet se akset rrugore Korçë-Kapshticë, Korçë-Pogradec-Qafë Thanë janë të hapura për mjetet.

Ndërkaq gjatë mbrëmjes së djeshme kryeministri i vendit, Sali Berisha gjatë mbledhjes së jashtëzakonshme të qeverisë shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të fatkeqësisë natyrore. /albeu.com/
Shtuar më 13/02/2012, ora 09:07

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori