Vazhdon heshtja per UCK-ne
Albeu.com
Statusi i ish-ushtarëve të UÇK-së në Maqedoni ende nuk është duke u zgjidhur edhe përkundër premtimeve të njëpasnjëshme. Ministri i punës dhe politikës sociale, Xhelal Bajrami ka vazhduar të heshtë edhe pse vetë kishte deklaruar në përfundim të viti 2009 se ky problem do të rregullohet me ligj.
Edhe pse “Lajm” ka pritur dy ditë për të marrë përgjigje nga Bajrami për këtë çështje, zëdhënësja e MPPS-së, Erzana Jakupi ka pohuar se nuk ka ndonjë sqarim. “Ende nuk ka përgjigje për pyetjet të cilat i keni parashtruar”, tha Jakupi.

Por, durimi dhe rreziku nga moszgjidhja e statusit të ish-ushtarëve të UÇK-së, në veçanti të familjeve të dëshmorëve shkon duke u rritur. “Gjendjen më të vështirë e kanë sidomos familjet e dëshmorëve. Kemi disa raste kur i vetmi krah i punës që ka qenë në nj familje, ka dhënë jetën për liri. Ne kemi diku rreth 27 familje të dëshmorëve që janë pa asnjë anëtar të familjes të punësuar dhe gati pasi asnjë ndihmë”, tha Besim Hoda, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës (OVL) të UÇK-së.

Ai ka akuzuar subjektet politike shqiptare, që nëntë vite me radhë nuk po arrijnë ta mbyllin këtë kapitull. “Shqiptarët vazhdojnë të trajtohen në këtë shtet si njerëz të rangut të dytë. E dhimbshme është se kjo dëshmon paaftësinë e subjekteve politike shqiptare, të cilat jo që nuk kanë arritur të zgjedhin problemin, por shpesh diçka kanë deklaruar dhe i kanë ngrënë fjalët e tyre. Në kohë të fundit ata as nuk turpërohen me atë që thonë. Shohim një dorëzim total të subjekteve politike shqiptare”, tha Hoda.

Gjeneza e problemit sipas kreut të OVL-UÇK-së është që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit. “Pas çdo konflikti duhet të bëhet pajtimi i palëve të cilat ishin përfshirë në konflikt. Fatkeqësisht në Maqedoni kjo nuk ndodhi, edhe pas zotimeve që u bënë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit. U kompensua vetëm njëra palë e përfshirë në konflikt, edhe atë pala fajtore, ndërsa shqiptarët mbetën viktime si gjithmonë”, tha Hoda.

Ndryshe, një prej premtimeve të PDSH-së e cila u fut në qeveri në vitin 2006 ishte se do ta zgjedhë statusin e ish-ushtarëve të UÇK-së brenda gjashtë muajve që nuk arriti ta mbajë një premtim të tillë. Pas futjes në qeveri të BDI-së, gjithashtu një prej premtimeve të elektoratit ishte se do të marrë fund njëherë e përgjithmonë statusi i ish-ushtarëve dhe invalidëve të luftës të rënë nën emblemën e UÇK-së.

“Ushtarët e UÇK-së janë lënë në mëshirë të fatit, jo vetëm që për ata nuk kujdeset askush për t’i risocializuar, por më e keqja është sepse një numër i tyre janë nëpër burgje. Ata kanë frikë edhe kur dalin në rrugë, sepse arrestohen. Fatkeqësisht kjo heshtet edhe nga kreu i luftës”, tha në fund Hoda.

Edhe përkundër disa deklaratave të funksionarëve aktual se ky problem deri në fund të vitit 2009 do të zgjidhet, akoma familjet e dëshmorëve presin të hutuar.




Hoda: Mund të ketë konflikt mes ish-ushtarëve të UÇK-së

“Mund të ketë situata konfliktualiteti brenda për brenda ushtarëve të UÇK-së të cilët ndjehen totalisht të pambrojtur në këtë shtet dhe absolutisht të paorganizuar meqë janë lënë në mëshirë të fatit”. tha Hoda. Këtë ai e sqaroi me argumentin se shteti mund të jetë iniciatori i kësaj dukurie. “Në pamundësi të mbrojtjes nga asnjë institucion, ose nga vet kreu i UÇK-së, ne i dimë strukturat shtetërore të cilat kanë qasje totale anti-shqiptare dhe të bëjnë presion të ushtarët e UÇK-së që ata të akuzojnë njëri tjetrin për të gjetur mbrojtje nga vetë pushteti”, tha Besim Hoda, kryetar i OVL-UÇK-së. (lajm)
Shtuar më 24/02/2010, ora 16:53
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori