Vazhdon greva e deputeteve te parlamentit shqiptar
Pëlqej
Albeu.com
11 deputetët e parlamentit shqiptar, të kryesuar nga kreu i LSI-së Ilir Meta dhe demokristiani, Nard Ndoka, janë futur sot në ditën e tretë të grevës. Ata janë mbështetur nga qytetarë të shumtë të cilët janë mbledhur para dyerve të godinës ku po zhvillohet greva.Ndërkohë, zoti Meta, gjatë një interviste telefonike për një televizion të Tiranës u shpreh se grevistëve u ishte mohuar edhe e folura me telefon. “Në orët e para të paradites ne nuk kishim mundësi të përdornim celularët tanë për të komunikuar me të afërmit apo me opinionin publik, për arsye sepse ishte instaluar një aparaturë përgjimi dhe njëkohësisht eliminimit të valëve për telefonat tanë celularë, aparaturë që u zbulua nga deputetët dhe është aktualisht këtu mes nesh. Për fat të keq më pas u instalua një aparaturë tjetër në një ambjent tjetër të Kuvendit, dhe patëm një konfrontim me punonjësit e Gardës, që natyrisht nuk janë ata autorët e vërtetë të këtyre veprimeve krejt të pakuptimta, sepse nuk ka asnjë logjikë që të privohet komunikimi i të gjithë grevistëve me të gjithë opinionin publik, apo qoftë dhe për arsyet më të thjeshta shëndetësore që mund shfaqen rast pas rasti, nga momenti në moment”, tha ai.
Kreui LSI-së u shpreh se së bashku me deputetët e tjerë janë të vendosur të vazhdojnë grevën e urisë, me të gjitha kushtet që ajo kërkon. Lidhur me mbështetjen e ndërkombëtarëve, Meta tha se “Kemi marrë shumë mesazhe solidariteti edhe nga përfaqësues të PS apo PD, dhe nga shumë faktorë të tjerë politikë në vend. Njëkohësisht jemi në kontakt dhe me përfaqësues të diplomacinë perëndimore në Tiranë, apo jashtë vendit. Për momentin kaq mund të themi”.

Qëndrimin pasiv të Partisë Socialiste ndaj grevës në fjalë, zoti Meta e komentoi se ajo prej kohësh tashmë drejtohet jo më prej Edi Ramës, por nga Sali berisha. “Nuk ka pasur reagim nga Partia Socialiste, sepse duhet të kuptoni se Berisha ka kohë që nuk flet vetëm në emër të Partisë Demokratike, por flet dhe në emër të Partisë Socialiste. Dhe jo vetëm kaq, por e përdor Partinë Socialiste dhe për të fshehur, shpeshherë, synimet e tij të vërteta. Ndaj dhe prononcimi i tij sot se ai ka si partner kryesor Partinë Socialiste, nuk është gjë tjetër veçse përfundimisht rrëshqitje në krimin e prishjes së zgjedhjeve të Partisë Socialiste, pasi dihet që Berisha është një shkatërrues i njohur dhe i konfirmuar i zgjedhjeve në Shqipëri, që nga viti 1996. Por, dua të them se, çështja e zgjedhjeve nuk është një çështje që mund ta vendosë Berisha me Ramën, sepse zgjedhjet janë për të gjithë shqiptarët, sepse do të votojnë të gjithë shqiptarët dhe vota e tyre duhet të jetë e barabartë. “.

Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme, Lëvizja Socialiste për Integrim depozitoi një kallëzim për fillimin e ndjekjes penale prokurorit të rrethit Tiranë zotit Genc Xholi me objekt: Fillimin e ndjekjes penale të shtetasve Albert Kushti, Sekretari i përgjithshëm i Kuvendit të Shqipërisë dhe Ndre Prendi, Komandanti i Gardes së Republikës, për veprat penale të parashikuara nga nenet 248, 250, 121 dhe 255 të Kodit Penal.

Grevistët në mesditën e djeshme patën edhe disa konfrontime me oficerët e Gardës, duke pretenduar se këta të fundit po vendosnin aparate zhurmuese për të penguar komunikimin me jashtë. Sekretari i Përgjithshëm, Petrit Vasili gjatë një prononcimi “live” në edicionin e lajmeve në TV Klan, dënoi veprimet e Gardës, duke theksuar se këta janë shenja të diktaturës dhe se Garda e komanduar kërkon të izolojë deputetët.

Në ambientetet ku o zhvillohet greva, në orët e pasdites së djeshme kanë mbërritur edhe mjekët e urgjencës për t’i ofruar shërbimin mjekësor deputetëve Spartak Braho dhe Ymer Tola, të cilët kanë pasur probleme me shëndetin. Deputeti i LSI Braho ka shfaqur shenja shqetësuese të luhatjes së tensionit edhe gjatë paradites, por punonjësit e Gardës nuk e kanë lejuar autoambulancën e urgjencës të hyjë në ambjentet e Kuvendit.

Ndërkohë, LSI ka bërë një kallëzim penal për shpifje për drejtuesit e Gardës së Republikës dhe TVSH-së. Akuza ka si objekt shpifjen dhe dizinformimin kundër deputetëve në grevë urie. Për kallëzimin penal është vënë në dijeni edhe Presidenti Topi dhe Kryeprokurorja Ina Rama. Në edicionin e orës 16.00, sipas tyre TVSH dha një informacion të gënjeshtërt, sipas së cilit, “deputetët grevistë u përleshen me forcat e Gardës, pasi nuk u lejuan nga këta të fundit të fusnin ushqime në ambjentet ku po zhvillohej greva e urisë”. (start)
Shtuar më 12/11/2008, ora 16:50
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori