Vazhdojne debatet per ndryshimet ne buxhetin e Shqiperise
Albeu.com
Diskutimet për ndryshimet në ligjin për buxhetin e vitit 2010 po vijojnë prej për mëse 8 orësh dhe kanë përplasur në Parlament maxhorancën dhe opozitën për situatën ekonomike të vendit.Deputetët e opozitës kanë deklaruar përgjatë gjithë kohës në seancë se vendi është në krizë ekonomike dhe se fajin për këtë e ka qeveria pasi ka keqpërdorur financat publike. Nga ana tjetër deputetët e maxhorancës kanë theksuar se ekonomia shqiptare ka pasur rritje edhe në periudhë krize duke akuzuar opozitën se kërkon të nxijë realitetin e situatës ekonomike.
Deputeti i PD-së Sybi Hida ka deklaruar se rishikimi i buxhetit është në drejtimin e duhur duke theksuar se ky buxhet parashikon taksa të ulta për investimet e huaja. Duke iu referuar deklaratave të opozitës se FMN-ja ka deklaruar se ekonomia e vendit ka pësuar ulje theksoi se Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore nuk shohin krizë në Shqipëri por vetëm rritje ekonomike.
I njëjtit mendim ka qënë edhe deputeti tjetër i maxhorancës Tritan Shehu sipas të cilit treguesit ekonomikë theksojnë se ekonomia shqiptare nuk është në krizë.
"Ekonomia shqiptare ka tregues mjaft të mirë theksoi Shehu duke shtuar se nuk janë prekur investimet kryesore dhe vendi ka pasur një stabilitet financiar.
Ndryshimet në buxhetin për vitin 2010 parashikon uljen e të ardhurave me 27.2 miliardë lekë dhe uljen e shpenzimeve me 39 miliardë lekë, 19 miliardë prej të cilave do të shkurtohen nga investimet publike.
Shtuar më 19/07/2010, ora 18:07
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori