Vazhdoi procesi i Brodecit
Albeu.com
Në procesin gjyqësor të të arrestuarve të Brodecit, janë paraqitur para trupit gjykues, 22 vjeçari Florim Ahmeti dhe 43 vjeçari Baftjar Beqiri.Ata sollën versionet e tyre të ngjarjes, duke treguar se nuk kanë lidhje as me 4 personat në arrati që policia i ka shpallur në kërkim, dhe as me ndonjë veprimtari terroriste siç akuzohen. Ahmeti dhe Beqiri, treguan për keqtrajtimin e policisë gjatë arrestimit, si dhe sharjet në gjuhën serbe që kanë përdorur policia. Njëri prej tyre, Beqiri, tregoi se kurrë nuk do të ishte i aftë të përdorte armën, madje ai nuk ka kryer as shërbimin ushtarak, për shkak se ishte deklaruar i paaftë nga komisioni shëndetësor. Avokatët mbrojtës e quajtën sërish të montuar politikisht gjykimin e të arrestuarve të Brodecit.

“Nga dëshmitë e sotme të dy dëshmitarëve shumë qartë mund të shihet se dy të akuzuarit si dhe ai i djeshmi, nuk kanë lidhje më ngjarjen, mirëpo me pyetje kryqëzuese dhe sugjestive mundohen që të akuzuarit t’i detyrojnë të thonë se kinse kanë lidhje me ngjarjen ose janë pjesëtarë të ngjarjes dhe të grupit të armatosur. Me sa duket qëndrimi i trupit gjykues dhe aktakuzës është që me çdo kusht t’i shpall fajtorë dhe t’i dënojë për veprën, që në bazë të dëshmive të deritanishme nuk e kanë bërë dhe nuk kanë lidhje me ngjarjen”, tha avokati mbrojtës Harun Beadini.

Avokati Beadini mbron ligjërisht Izmit, Hebib dhe Florim Ahmetin, si dhe Baftjar Beqirin dhe Nevzat Arijanin. Ndërkaq, gjykimi i të akuzuarve të tjerë do të vazhdojë në fund të muajit. Në procedurë janë 13 të akuzuar, ndërkohë që pas operacionit në Brodec ku policia vrau 6 persona, ka shpallur në kërkim edhe 4 persona të tjerë. Të gjithë akuzohen për veprën terrorizëm dhe veprimtari armiqësore. (ALsat-m)
Shtuar më 21/05/2008, ora 17:36
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori