Vazhdoi procesi gjyqësor për rastin e Brodecit
Albeu.com
Nën masa të forta sigurie dhe praninë e madhe të policisë dhe pjesëtarëve të njësitit Alfa ka vazhduar procesi gjyqësor kundër të akuzuarve në rastin e Brodecit.I akuzuari Mekdi Islami duke dëshmuar para gjykatëses tha se "policia kur e ka arrestuar e ka shtrirë në bodrumin e shtëpisë ku ishte strehuar, ndërsa një polic i ka hipur mbi shpinë dhe me thikë i ka prerë një pjesë të veshit, i ka djegur gishtat me cigare, ndërsa një polic tjetër ka incizuar me kamerën e celularit". Islami ka theksuar se policia e ka keqtrajtuar prej Tetovës deri në Shkup duke e detyruar të pranojë se është pjesë e grupit të armatosur. Ai para gjykatëses mes tjerash i bëri thirrje qeverisë që të mos punojë sipas tij 'me metodat e Sllobodan Millosheviqit dhe të derdh gjakun e shqiptarëve të pafajshëm' .Kur një polic më rrihte tjetri e luste të mos ta bëjë një gjë të tillë sepse do të dënohen e ai i tha se ka urdhër nga komandant Sinisha", ka thënë Islami. Avokati Taip Elezi theksoi se klienti i tij me dëshminë para gjyqit ka vërtetuar pafajësinë e tij.

"Dëshmia e tij i vërteton dëshmitë e të akuzuarve tjerë dhe e dëshmon të kundërtën çka është në aktakuzë. Kështu që të gjithë të akuzuarit përfshirë edhe Mekdi Islamin e mohojnë aktakuzën si të pabazë", tha avokati i Mekdi Islamit, Taip Elezi.

Mekdi Islami përsëriti se me pistolete në kokë pjesëtarët e njësisë Alfa në stacionin policor në Bit Pazar kërkuar nga ai të pranojë se Ali Ahmeti dhe Jani Makraduli e kanë urdhëruar të sulmojë forcat policore. Mekdi Islami nga gjykatësja kërkoi që t'i kthehen 9.000 euro, telefonat celularë, ora e dorës dhe aparati dixhital të cilët ia ka marrë policia. Para gjyqit dëshmoi edhe Nevzat Zyberi i cili gjithashtu i mohoi akuzat.
(Nevzat Mamuti, Alsat-m)
Shtuar më 28/05/2008, ora 22:50
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori