Vatikan, Berisha merr pjesë në Audiencën e Papa Benediktit
Kryeministri Berisha ka marrë pjesë në Audiencën e dhënë nga Shenjtëria e Tij Papa Benedikti i XVI për pjesëmarrësit e Internacionales së Demokratëve të Qendrës që u zhvillua në Romë. Në audiencë mori pjesë dhe Kryetarja e Kuvendit zonja Jozefina Topalli.


Shenjtëria e Tij e dha këtë audiencë në rezidencën verorë në Kështjellën Gandolfo në periferi të kryeqytetit italian. Në të merrnin pjesë kryeministra dhe liderë të tjerë politikë pjesë të këtij grupimi, nga 75 vende të botës.


Në emër të pjesëmarrësve, Papën Benedikti i XVI e përshëndeti Presidenti i organizatës Pier Ferdinando Casini, i cili nënvizoi vlerat që ndajnë partitë pjesëtare dhe angazhimet për të përballuar sfidat më të cilat përballet shoqëria evropiane dhe ajo botërore.


Ati i Shenjtë iu drejtua të pranishmëve me një fjalë në të cilën ai theksoi nevojën për t`u përballur me problemet dhe krizën që përballet shoqëria njerëzore duke u bazuar në vlerat kristiane dhe në funksion të së mirës së përbashkët dhe jo thjesht në parimet e tregut. Papa Benedikti XVI gjithashtu nënvizoi rolin e familjes si një gur themeli i shoqërisë. /albeu.com/
Shtuar më 23/09/2012, ora 11:23
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori